Foto: KALLXO.com

Anëtari i KPM-së: Vendimi për rikthimin e kanaleve sportive ‘Arena’ është marrë që të mos krijohet monopol

Komisioni i Pavarur për Media (KPM) është duke raportuar para Komisionit për Media pas vendimit për rikthimin e kanaleve sportive të “Arena”.

Ky vendim u kritikua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje pjesë e këtij komisionit, të cilët kërkuan edhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së.

Fitim Veliu anëtar i KPM-së duke arsyetuar vendimin tha se ai është marrë për të mos krijuar monopol.

“Vendimi është marrë për t’u krijuar pluralizëm, mos t’i lihet monopoli Digitalb-it, pra në interes të qytetarëve”- tha Veliu.

Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Jeton Mehmeti arsyetoi vendimin duke thënë se “kanë ndryshuar rrethanat”.

Komisoni i Pavarur i Mediave në mbledhjen e 6 shkurtit të këtij viti ka shfuqizuar vendimin e tij  të marrë më 3 tetor të vitit 2023, përmes të cilit kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Kjo çështje nuk kishte qenë e pjesë e agjendës së ditës, por ishte propozuar tek pjesa e “të ndryshme”, pas përfundimit të pikave të tjera të rendit të ditës.

Kjo çështje ishte trajtuar nga gjyqësori, i cili kishte refuzuar ankesën e kompanisë “Artmotion” ndaj vendimit të KPM-së. Gjykata Komerciale kishte vendosur në favor të KPM-së.

Në mbledhjen e në fjalë, vetë KPM-ja e shfuquzoi vendimin e saj, duke i kthyer kanalet sportive “Arena” me arsyetimin se kanë ndryshuar rrethanat e këtij rasti, duke përmendur kërkimfaljen nga operatori, garancinë se nuk do të përsëritet më një gjë e tillë dhe “është marrë mësimi i duhur”.

Shfuqizimi i vendimit të KPM-së erdhi një ditë pasi MINT njoftoi se ka nxjerrë vendim ku ka lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.

Lidhur me çështjen e operatorëve kabllorë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kishte njoftuar se pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.