Flamuri i Kosovës dhe i SHBA-së

Ambasada e SHBA-së falënderon Kosovën për strehimin e 50 shtetasve të dëbuar nga Amerika

Tri ditë pasi Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për strehimin e përkohshëm të 50 shtetasve të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që vijnë nga shtete të treta, ambasada e SHBA-së në Kosovë ka shprehur mirënjohje ndaj Kosovës.

Sipas deklaratës së Ngarkuarës me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, Kosova do të jetë shteti i parë në Europë që pranon shtetasit e dëbuar.

“Falemnderit partnerit tonë Kosovës, shteti i parë në Europë që pranon shtetas të shteteve të treta që janë larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sigurimi i kufirit të Amerikës është një prioritet kyç për administratën Trump dhe unë shumë i vlerësoj të dyja – Qeverinë e Kosovës dhe popullin e Kosovës për bashkëpunimin e tyre” – ka thënë Prattipati më 14.06.2025.

 

Më 11.06.2025, Qeveria e Kosovës në një mbledhje elektronike ka marrë vendimin që t’i strehojë 50 shtetasit e dëbuar nga Amerika.

Për këtë vendim, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka shkruar në rrjetin social Facebook.

Kurti tha se ky vendim erdhi si përgjigje ndaj kërkesës së SHBA-së për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta.

“Sipas këtij vendimi shteti ynë brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik” – shkroi Kurti mes të tjerash.

Tutje, Kurti ka thënë se SHBA mbetet aleat i palëkundur i Kosovës dhe se Kosova do jetë përherë partner i besueshëm i tyre.

Qeveria e Kosovës ofron mbrojtje të përkohshme për 50 persona në kuadër të bashkëpunimit me SHBA-në