Akuzohet se mori ryshfet 30 euro dhe 50 centë, Prokuroria kërkon dënimin e ish-zyrtarit të Gjykatës

Zenel Hoxha, ish-referent i lartë për regjistrimin e lëndëve jokontestimore në Gjykatën Themelore të Pejës, po akuzohet nga Prokuroria se ka pranuar shumën prej 30.50 euro ryshfet nga palët në dy raste të ndryshme.

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar shpalljen e tij fajtor dhe dënimin sipas ligjit, duke përfshirë ndalimin e ushtrimit të profesionit.

Dosja e akuzës përshkruan se pasi Din Shalës ia rregullon dokumentacionin në lidhje me një vendim të gjykatës, Zenel Hoxha ka pranuar 30 euro si shpërblim për shërbimin e kryer. Dyshohet se disa ditë më vonë, Hoxha ka pranuar 0.50 euro nga një palë pasi e ka informuar për zyrën e një avokati.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, të hënën ka deklaruar se ka elemente të mjaftueshme për të provuar veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Ajo ka përmendur se video-incizimet e datave të rastit tregojnë se Hoxha ka pranuar paratë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Nga CD, respektivisht nga video-incizimet në të dy datat rezulton se ai në mënyrë të drejtpërdrejt ka pranuar përfitim financiar për të vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ku në rastin e parë ka pranuar 30 euro ndërkaq në rastin e dytë ka pranuar një monedhë metalike. Qëllimi dhe dashja e tij rezultojnë nga momenti që ai i ka marrë këto para dhe është pajtuar me një përfitim të tillë” – deklaroi prokurorja Gashi.

Sipas avokatit Sylë Hoxha, aktakuza nuk përmban dispozita të mjaftueshme dhe nuk i përshkruan elementet juridike të veprës penale.

Avokati ka thënë se asnjë provë gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk e dëshmon se klienti i tij ka marrë ryshfet.

“Me asnjë provë gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se i mbrojturi im ka kryer ka marrë ryshfet. Me asnjë provë nuk është vërtetuar se i mbrojturi im me dashje apo drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet apo kurrfarë dhurate nga personi D.Sh.” – ka thënë avokati.

Avokati Hoxha gjithashtu ka theksuar se shuma e pretenduar nga aktakuza nuk është vërtetuar gjatë procesit gjyqësor.

Avokati Hoxha ka përmendur se në video-incizim vërtetohet se palës i janë futur vetëm 10 euro në fletpagesë, dhe jo 30 euro, siç pretendon aktakuza.

“I mbrojtur im e ka cekur se pala, D.Sh. ia kishte futur 10 euro dhe jo 30 euro, të cilat nuk figurojnë me asnjë provë. 20 euro siç shihet mirë në video-incizim pala i ka pasur të vetat, në xhepin e pantallonave. Andaj, kjo pjesë e aktakuzës nuk qëndron dhe nuk ka asnjë element juridik” – ka deklaruar  Hoxha.

Ai ka shtuar se kartëmonedha e 10 eurove nuk është konfiskuar nga autoritetet policore.

Avokati gjithashtu ka deklaruar se i mbrojturi i tij nuk ka kërkuar asnjë favor dhe se pala e ka pranuar në deklaratën e tij se shumën prej 10 eurove e ka lënë pa dijeninë e referentit.

“I mbrojturi im nuk ka kërkuar asnjë favor për punën apo shërbimin e kryer, në këtë rast theksoj se shërbimet që i ka dhënë janë të ndjeshme dhe në kuadër të fushë-veprimtarisë së tij si punëtor i gjykatës” – ka thënë avokati.

Mbrojtja ka kërkuar që i akuzuari të lirohet nga akuza.

Pas kësaj, gjykatësja Ajser Skenderi e shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor. Ndërkaq, shpallja e aktgjykimit do të bëhet më datë 5 korrik të këtij viti.

Sipas aktakuzës Zenel Hoxha, në cilësinë e referentit të lartë për regjistrimin e lëndëve jokontestimore, trashëgimore dhe vërtetimin e certifikatave, me dashje në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon përfitim financiar për vetë që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Më 15 gusht 2022, në Gjykatën Themelore të Pejës, në zyrën nr. 5 derisa kthehet D.Sh. për të dorëzuar taksat e paguara gjyqësore, duke u përshëndetur me të akuzuarin Zenel Hoxha, në tavolinë lë një fletë të bardhë dhe largohet.

Dosja më tej përshkruan se posa D.Sh. del nga zyra, Zenel Hoxha e tërheqë fletën e bardhë dhe nga aty merr tridhjetë euro, gjegjësisht një kartëmonedhë në vlerë 20 euro dhe një tjetër në vlerë 10 euro të cilat i fut në xhep.

Prokuroria pretendon se Zenel Hoxha ka përsëritur një veprim të ngjashëm më datë 19 gusht 2022, kur një palë i panjohur ka hyrë në zyrën e tij dhe ka pyetur për emrin e një avokati.

Pasi i akuzuari i ka treguar emrin e kërkuar, pala afrohet tek tavolina e tij dhe tenton të ia lërë një monedhë metalike për të pirë kafe, i njëjti i thotë se nuk ka nevojë për kafe apo monedhën metalike.

Pasi insistimit të palës, Hoxha e pranon monedhën metalike, me vlerën e saj 0.50 euro.

Me këto veprime Zenel Hoxha po ngarkohet se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit

I përfshirë në akuzë fillimisht ka qenë edhe D.Sh. i cili ngarkohej për dhënie të ryshfetit.

Por Shala para gjykatës e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me një dënim prej 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burg me kusht në afat verifikimi prej një viti.