Dosja e Prokurorisë: Ish-referenti i lartë në Gjykatën e Pejës dyshohet se pranoi 30.50 euro ryshfet nga palët

Zenel Hoxha, referent i lartë për regjistrimin e lëndëve jokontestimore në Gjykatën Themelore të Pejës po përballet me akuzën për marrje ryshfeti.

Sipas dosjes, Hoxha dyshohet se ka pranuar 30 euro e 50 centë nga palët në dy raste të ndryshme.

Dosja përshkruan se pasi Din Shalës ia rregullon dokumentacionin në lidhje me një vendim të gjykatës, i njëjti pranon 30 euro në emër të shërbimit të kryer zyrtar.

Ndërsa, vetëm disa ditë më vonë, Hoxha dyshohet se pasi informoi palën për zyrën e një avokati, ka pranuar nga ai 0.50 euro.

Pas aplikimit të masave të fshehta dhe zgjerimit të hetimeve, Gjykata e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Zenel Hoxhës për veprën penale marrje e ryshfetit.

I njëjti është suspenduar nga kjo pozitë.

I pandehuri Hoxha është deklaruar i pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 29 dhjetor 2022.

I përfshirë në akuzë fillimisht ka qenë edhe Din Shala i cili ngakrohej për dhënie të ryshfetit.

Por Shala para gjykatës e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me një dënim prej 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burg me kusht në afat verifikimi prej një viti.

Ndërkaq, rasti është duke vijuar kundër Zenel Hoxhës për të cilën mbrojtësi i tij, Sylë Hoxha në shqyrtimin e dytë, datë 20 shkurt 2023, ka parashtruar kërkesë për hedhje të akuzës.

Avokati aktakuzën e ka konisderuar si të pabazuar, pasi bëhet fjalë për vepër të rëndësisë së vogël. Hoxha ka mohuar se klientit të tij i janë lënë 30 euro siç pretendon Prokuroria.

“Në bazë të videos shihet se ai i nxjerr 30 euro por nuk është ashtu, pasi 20 euro kanë qenë të vet Zenel Hoxhës që i ka pasur në xhep, kurse pala ia ka lënë vetëm 10 euro në shenjë falenderimi” – tha Hoxha.

Avokati ka bërë të ditur se gjatë masave të fshehta të hetimit të cilat zgjasin 60 ditë, i pandehuri nuk ka kryer asnjë rast tjetër.

Sipas aktakuzës Zenel Hoxha, në cilësinë e referentit të lartë për regjistrimin e lëndëve jokontestimore, trashëgimore dhe vërtetimin e certifikatave, me dashje në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon përfitim financiar për vetë që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Më 15 gusht 2022, në Gjykatën Themelore të Pejës, në zyrën nr. 5 derisa kthehet Din Shala për të dorëzuar taksat e paguara gjyqësore, duke u përshëndetur me të akuzuarin Zenel Hoxha, në tavolinë lë një fletë të bardhë dhe largohet.

Dosja më tej përshkruan se posa Din Shala del nga zyra, Zenel Hoxha e tërheqë fletën e bardhë dhe nga aty merr tridhjetë euro, gjegjësisht një kartëmonedhë në vlerë 20 euro dhe një tjetër në vlerë 10 euro të cilat i fut në xhep.

Prokuroria pretendon se Zenel Hoxha ka përsëritur një veprim të ngjashëm më datë 19 gusht 2022, kur një palë i panjohur ka hyrë në zyrën e tij dhe ka pyetur për emrin e një avokati.

Pasi i akuzuari i ka treguar emrin e kërkuar, pala afrohet tek tavolina e tij dhe tenton të ia lërë një monedhë metalike për të pirë kafe i njëjti i thotë se nuk ka nevojë për kafe apo monedhën metalike.

Pasi insistimit të palës, Hoxha e pranon monedhën metalike, me vlerën e saj 0.50 euro.

Me këto veprime Zenel Hoxha po ngarkohet se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit.