Aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe, dyshohet për krime lufte në zonën e Vushtrrisë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet S.T., i nacionalitetit serb.

Në njoftim thuhet se i pandehuri S.T. dyshohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik dhe fshatrat përreth të komunës së Vushtrrisë,  individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestime, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të mijëra civilëve shqiptarë.

Po ashtu, ai po dyshohet edhe për masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt, duke shkelur kështu rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe protokollet shtesë (protokollin I).

Me këto veprime i pandehuri S.T. në bashkëkryerje ka kryer veprën penale  – krime të luftës kundër popullatës civile.