Ilustrim Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Aktakuzë ndaj 4 personave për shitblerje të votave në zgjedhjet e 17 tetorit

Prokuroria e Gjilant ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M. K., A. D., A. T. dhe Xh. B., për shkak të veprave penale cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve dhe dhënja ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin.

M. K. dhe A. D., sipas Prokurorisë, kanë kryer veprën penale cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve.

Kurse A. T., dhe Xh. B., po akuzohen se kanë kryer veprën penale dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin.

Sipas aktakuzës, të pandehurit M. K. dhe A. D., më 16 tetor 2021, rreth orës 18:30 minuta në Kllokot, kanë cenuar përcaktimin e lirë të votuesve, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të votuesit-tani të pandehurit Xh. B., në këmbim të votave.

 Tutje sipas Prokurorisë, i pandehuri A. T., i ka dhënë para në shumë prej 200 € të pandehurit Xh. B., me qëllim që i njëjti të siguronte 10 vota për kandidat për kryetar të komunës së Kllokotit.