Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico Foto: Robert Fico/ Facebook

I dyshuari po akuzohet për vrasje në tentativë të kryeministrit sllovak Fico

Një i dyshuar është akuzuar për vrasje në tentativë të kryeministrit sllovak Robert Fico, i cili u qëllua me armë zjarri më 15.05.2024, ka thënë ministri i Brendshëm i vendit, Matus Sutaj Estok.

Ai nuk e përmendi emrin e sulmuesit të dyshuar, por raportet sllovake kanë identifikuar gjerësisht autorin si një 71-vjeçar nga qyteti i Levice, raporton media britanike, BBC.

Raportet thonë se ai mund të përballet me burgim të përjetshëm.

Mjekët thanë se Fico, 59-vjeçar, ishte në një gjendje të rëndë por të qëndrueshme pasi u qëllua disa herë.

Ministri i Brendshëm, Matus Sutaj Estok tha në një konferencë për shtyp të enjten (16.05.2024) se i dyshuari kishte vepruar i vetëm dhe se më parë kishte marrë pjesë në protesta antiqeveritare.

“U qëllua pesë herë në distancë të afërt”

Ishte e mërkurë në mesditë që kryeministri sllovak Fico, i rrethuar nga një turmë mbështetësish, u qëllua.

Personi i armatosur qëlloi pesë herë nga afër, duke e goditur kryeministrin në bark dhe në krah, raporton më tej BBC.

Sulmi zuri në befasi sigurimin e  kryeministrit.

Pamjet treguan disa oficerë duke futur kryeministrin e plagosur në një makinë, përpara se të largoheshin me shpejtësi të madhe, ndërsa të tjerët ndaluan të dyshuarin.

Fico u dërgua me urgjencë në një spital aty pranë me një ambulancë ajrore, me lëndime të përshkruara si të rrezikshme për jetën.

Më pas ai u transferua në një spital tjetër në Banska Bystrica, në lindje të Handlova, ku kirurgët dhe ekipet e traumës punuan gjatë natës për ta stabilizuar atë.

Të enjten, drejtori i spitalit tha në një konferencë për shtyp se gjendja e Ficos ishte e qëndrueshme, por “me të vërtetë shumë serioze” dhe se ai ishte transferuar në një njësi të kujdesit intensiv.

Më parë, zëvendëskryeministri Tomas Taraba i tha BBC-së se operacioni i Ficos kishte shkuar “mirë” dhe “mendoj se në fund ai do të mbijetojë”.

Përgatiti: Veronë Zymberi