Aksioni gjigant në Dukagjin, pesë prokurorë hetojnë ndërtimet pa leje

KALLXO.com merr vesh se Policia e Kosovës ka konfiskuar kompjuterë, telefona, dosje të lëndëve dhe dokumente tjera që lidhen me ndërtime pa leje ose mbindërtime pa leje në aksionin e gjerë që u zhvillua në rajonin e Pejës.

Përveç asaj, KALLXO.com raportoi se numri i zyrtarëve të arrestuar nga ky aksion ka arritur në 10.

Në mesin e tyre janë Rajan Arapi – drejtori i Urbanizmit në Pejë, Ramë Melaj – drejtori i Urbanizmit në Deçan, Jashar Blakaj – drejtori i Urbanizmit në Istog dhe Lorenc Marleku, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Klinës.

Ky aksion siç ka njoftuar Prokuroria ka të bëjë me gjetjen e provave për dyshimet rreth keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe se ka të bëjë me ndërtime pa leje.

Në këtë aksion njoftohet janë të angazhuar pesë prokurorë dhe vet kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.