Foto: Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës

Aksion i Inspektoratit për të ndaluar therjen e kafshëve në rrugë dhe hapësira publike në kryeqytet

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës në prag të festës së Kurban Bajramit ka larguar shitësit e kafshëve dhe shpezëve dhe ka ndaluar therjen e tyre në rrugë dhe në hapësira tjera publike jo të përshtatshme.

Inspektorati ka kërkuar që therja të bëhet në thertore të licencuara, për shkak se, ambienti në të cilin thereshin bashkë me temperaturat e larta, përbëjnë rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve.

“Duke vlerësuar lartë respektimin e një riti fetar në prag të festës së Kurban Bajramit nga na e qytetarëve tanë, për shkak edhe të traditës sonë të shpërndarjes së mishit tek miqtë dhe familjarët, kemi kërkuar që therja të bëhet në lokacione dhe hapësira më të përshtatshme, mundësisht në thertore të licencuara, për shkak se, ambienti në të cilin thereshin bashkë me temperaturat e larta, përbëjnë rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve që ushqehen por edhe për ata që iu shpërndahet”- thuhet në njoftim.

Inspektorati ka njoftuar se këtë aksion do të vazhdojë edhe nesër.

Edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka kërkuar që therjen e Kurbaneve ta bëjnë vetëm në thertoret e licencuara/aprovuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të cilat janë nën mbikëqyrje të kontrolleve zyrtare të inspektorëve veterinarë.

AUV thotë se therja e kafshëve në hapësirat publike dhe çdo vend tjetër qe nuk është i destinuar për këtë aktivitet është i ndaluar me ligje dhe  shtojnë se ndaj secilit qe shkelë ligjin janë të papara masat ndëshkimore.

Të mërkurën, 28 qershor, besimtarët e fesë islame festojnë Kurban Bajramin.