Aksident në Drenas, vdes këmbësori pasi u godit nga vetura

Një person ka vdekur pasi është goditur nga një makinë në lëvizje në rrugën “Xhevat Dogani’ sot në Drenas.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për KALLXO.com ka bërë të ditur se këmbësori nuk ka arritur t’u bëjë ballë plagëve të rënda. Vdekja e tij është konstatuar nga mjekët në QKUK.

“Rreth orës 10:40  kemi pranuar informatën se në rrugën “Xhevat Dogani”-Drenas, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një  këmbësor dhe një veturë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar këmbësori, i cili nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti  ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK”- ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, policia ka nisur një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësja e automjetit të përfshirë në aksident është arrestuar.