Ilustrim: Kamerat e Sigurisë | Foto: Pixabay
AIP urdhëron disa biznese t’i largojnë kamerat e sigurisë – ishin të vendosura jashtë standardeve ligjore
Brenda muajit qershor të këtij viti, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka inspektuar një varg biznesesh që i përdorin kamerat e sigurisë.
Gjatë inspektimeve, AIP ka konstatuar që përdorimi i kamerave ishte jashtë standardeve ligjore.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen e AIP-së, gjatë muajit qershor janë zhvilluar disa inspektime në objekte të bizneseve kosovare si dhe në objekte të individëve të caktuar për ta verifikuar nëse vëzhgimi po bëhet konform ligjeve në fuqi.
Inspektimi i AIP-së në disa raste të tilla ka rezultuar me disa shkelje sa i përket këtyre kritereve.
Shembull, në një rast, një biznes është urdhëruar që të bëjë shkatërrimin e të dhënave të mbledhura përmes xhirimeve me kamera pasi në atë objekt kishte munguar ose nuk ishte vendosur shenja informuese se objekti monitorohet me kamera.
“Mungon shenja njoftuese (informuese) nuk posedojnë vendim të brendshëm për vendosje sistemi të vëzhgimit. Numri total i kamerave aktive janë 7 copë. Afati i ruajtjes është 7 ditë, sipas kontrolluesit sistemi nuk është audio.” – thuhet në vendimin e AIP-së.
Përveç këtij vendimi që AIP e ka marr ndaj “Hoffman Stores” Sh.P.K përmes të cilës ka urdhëruar të ndaloj përkohësisht përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në këtë muaj (qershor 2025).
Janë edhe 17 raste të tjera për të cilat AIP ka urdhëruar të ndaloj përkohësisht përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë.
Një shkelje të tillë është evidentuar edhe në biznesin “Viva Fly” Sh.P.K në Fushë Kosovë ku një person ka dërguar ankesë në AIP se kamerat që janë të vendosura në këtë objekt po kapin pamje edhe në hapësirën e sallës të Stomatologjisë.
Pas kësaj ankese, AIP ka urdhëruar “Viva Fly” Sh.P.K të ndalojë përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë, në hapësirën e sallës të Stomatologjisë.
Ky vendim i AIP-së ka ardhur pasi që më datë 23.05.2025, AIP kishte pranuar njoftim përmes e-maili nga një person i cili ka shpreh shqetësimin se në Fushë Kosovë, në lagjen “Dardania”, marketi “Viva” ka vendosur kamera vëzhgimi që mbulojnë hapësirat përreth, përfshirë hyrje daljet e banorëve si dhe qarkullimin e veturave, përfshirë edhe regjistrimin e targave. Këto kamera regjistrojnë në mënyrë të vazhdueshme fytyrat e banorëve, oraret e hyrjes dhe daljes, lëvizjet personale dhe të dhëna të tjera sensitive.
Ndërsa L.E. kishte vendosur kamera në katin e fundit të një ndërtese e cila ka cenuar privatësinë e banorëve. Gjatë këtij muaji AIP ka urdhëruar L.E. ta largojë sistemin e vëzhgimit me kamerë nga terasa e banesës.
Kjo kamerë ka marrë pamje të rrugëve publike ndërsa monitorimi i kamerës është bërë përmes telefonit të personit.
Ky vendim i AIP-së ka ardhur pasi që më datë 22.05.2025, AIP ka pranuar poaashtu njoftim përmes e-mail nga një person në lidhje me atë se në rr. “Ali Vitija”, në lagjen ‘Emshir’ në Prishtinë, se është e vendosur një kamerë në katin e fundit të kësaj ndërtese, e cila cenon privatësinë e banorëve. Në njoftimin e pranuar, pala ka bashkangjitur fotografitë, ku shihet qartë sistemi i vëzhgimit me kamerë.
“Me kërkesë të zyrtarëve të inspektimit me dt.11.06.2025 është mbajtur një takim me kontrolluesin, ku është konstatuar se kamera e vendosur nga ana e tij, vëzhgon rrugën publike, pasi që i njëjti sistemin e vëzhgimit e kishte te instaluar në telefonin e tij personal.” – thuhet në vendimin e AIP-së.
Gjithashtu në një rast tjetër gjatë këtij muaji AIP ka urdhëruar G.M., që të largoj sistemin e vëzhgimit me kamerë me zë nga hapësira e lokalit.
Këtë vendim AIP e ka marrë pasi që më datë 10.06.2025 ka realizuar inspektim sipas detyrës zyrtare tek G.M., lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë.
“Kontrolluesi, ka të vendosur sistemin e vëzhgimit me kamerë, në hapësirën e jashtme dhe brendshme të objektit. Numri total i kamerave janë 5 copë, një është e vendosur jashtë objektit e cila nuk vëzhgon rrugën publike. Mungon shenja njoftuese konform LMDHP-së, nuk posedojnë vendim të brendshëm për vendosje të sistemit. Një nga kamerat e vendosur në pjesën lart ku behën pagesat të arka është audio.” – thuhet në vendimin e AIP-së.
Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale përcakton të drejtat, përgjegjësitë, parimet dhe masat ndëshkuese lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së individit.
Në kontekstin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë së individit, vëzhgimi me kamerë nënkupton marrjen dhe ruajtjen e të dhënave vizuale ose të tjera nga vendet e vëzhguara, ku personat fizikë lëvizin, përmes sistemit të instaluar të vëzhgimit me kamerë. Për më tepër, vëzhgimi me kamerë nënkupton përpunimin e të dhënave personale gjatë regjistrimit të një personi fizik, në përputhje me përkufizimin e përpunimit të të dhënave personale të parashikuara në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në momentin kur një person ka për qëllim sistemin e vëzhgimit me kamerë, i njëjti duhet të vendos njoftim pra një shenjë paralajmëruese në mënyrë që të tjerët të njoftohen se kur fillon vëzhgimi me kamerë.
“Personat në sektorin publik ose privat që kanë për qëllim të instalojnë sistemet e vëzhgimit me kamerë duhet të vendosin njoftimin për këtë. Organet publike ndërmarrin masat e përshtatshme për të identifikuar kontrolluesin. Njoftimi i tillë duhet të jetë i dukshëm dhe të bëhet publik në mënyrë që t’iu mundësojë subjekteve të të dhënave, që pa vështirësi, të njoftohen me masat, më së voni kur të fillojë vëzhgimi me kamerë.” – thuhet në nenin 75 paragrafi 2 i LMDhP.
Sipas Ligjit për mbrojtjen e të dhënave Personale, personat në sektorin publik dhe privat mund të instalojnë sistemet e vëzhgimit me kamerë për vëzhgimin e ndërtesave të tyre nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe sigurimin e pasurisë, nëse nuk mund të arrihet me mjete tjera më të lehta e po ashtu vëzhgimi me kamerë, në veçanti mund të jetë i nevojshëm për të vëzhguar hyrjet e ndërtesave ose për shkak të natyrës së punës së tyre, ekziston kërcënimi potencial ndaj të punësuarve.
Tutje LMDhP-së, përcakton se për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë, duhet merret vendim nga nëpunësi kompetent, drejtori ose ndonjë person tjetër i autorizuar nga sektori privat, i cili vendim duhet të përmbajë arsyet për vendosjen e sistemit të vëzhgimit me kamerë.
Në pajtim me nenin 76, (paragrafi 5 dhe 7) të LMDhP-së, personat që punojnë në ndërtesat publike dhe private nënë vëzhgim me kamerë duhet të informohen në mënyrë të duhur në formë të shkruar për instalimin e sistemeve të tilla dhe të drejtat e tyre. Regjistrimet nga vëzhgimi i sistemit me kamerë, mund të ruhen deri në një (1) muaj, përveç nëse nuk kërkohen ndryshe për qëllime legjitime.