Agjencia e OKB-së për ushqim: 47 milionë njerëz një hap larg urisë
Agjencia e ushqimit e OKB-së paralajmëroi se rreth 47 milionë njerëz në mbi 50 vende të botës janë një hap larg urisë.
“Lufta, trazirat ekonomike dhe gjithnjë e më shumë, ndryshimet klimatike dhe degradimi i mjedisit po çojnë miliona njerëz në varfëri dhe dëshpërim çdo vit”, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Drejtoresha Ekzekutive e Programit Botëror të Ushqimit, Cindy McCain. “Deri në 783 milionë njerëz nuk e dinë se kur ose nëse do të kenë ushqim për ngrënie përsëri”.
“Numri i fëmijëve të kapur nën kontrollin e urisë është i jashtëzakonshëm: 45 milionë nën 5 vjeç tani vlerësohet të kenë kequshqyerje akute”. thotë Cindy McCain.
Sipas saj, shkurtimet e fondeve humanitare nga qeveritë po e detyrojnë agjencinë e OKB-së të bëjë zgjedhjen e mundimshme për t’i shkurtuar racionet e ushqimit për miliona njerëz të cenueshëm.
”Më shumë shkurtime janë në rrugë e sipër. Ky është realiteti i ri i komunitetit humanitar – normaliteti ynë i ri”, tha ajo.
McCain i kërkoi Këshillit të Sigurimit të jetë i vendosur në përdorimin e fuqive dhe ndikimit të tij për të krijuar kushte më të gjera që do të lejojnë të lulëzojnë partneritetet publiko-private.
Ajo i kërkoi gjithashtu sektorit privat që të rritet dhe të përqafojë përgjegjësinë e tyre për të ndihmuar në ndërtimin e shoqërive që u mundësojnë ndërmarrjeve të tyre të kenë sukses./Daily Sabah
Përgatiti: Nuhi Shala