Afati për legalizim të ndërtimeve pa leje zgjatet deri më 31 dhjetor 2025

Me Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje i cili ka hyrë në fuqi, është zgjatur afati për dorëzimin e aplikimeve për legalizim të ndërtimeve pa leje deri më 31 dhjetor 2025.

Qytetarët do mund të drejtohen në komunat e tyre përkatëse për aplikim të legalizmit të ndërtimeve.

Afati paraprak për regjistrim të ndërtimeve pa leje ka qenë i hapur nga viti 2019 deri në shtator 2022 ku do trajtoheshin ndërtimet që janë kryer deri në shtator 2018.

Në dhjetor të vitit të kaluar ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë shqyrtimit të Projektligjit për trajtim të ndërtimeve pa leje pati deklaruar se në Kosovë janë mbi 350 mijë ndërtime pa leje.

“Jemi në situatën që 352 mijë objekte në Kosovë janë pa leje, veç Prishtina i ka 46 mijë objekte pa leje. Mbi 75 për qind të ndërtimeve në komunën e Prishtinës edhe në gjithë Kosovës që është edhe më lartë, janë pa leje” – ka deklaruar Aliu.

Në afatin e parë Komunat kanë organizuar disa fushata vetëdijësuese, por numri i aplikimeve nuk kishte rezultuar i kënaqëshëm si dhe në vazhdimësi ka pasur kërkesa nga qytetarët që afati të zgjatej.

Legalizimi i ndërtimeve pa leje është i ndarë në dy kategori: shtëpi dhe objekte me shumë njësi.

Ndërtimet që duhet t’i nënshtrohen procesit të legalizimit janë: Të gjitha ndërtimet pa leje të evidentuara në fotografitë nga lartë para datës 05 Shtator 2018 përfshirë këtu: shtëpitë, garazhat në shërbim të shtëpisë, ndërtesat bujqësore, shtëpitë me afarizëm, depot, ndërtesat shumë banesore dhe afariste, administrative, anekset dhe mbindërtimet e ndërtesave, hotelet, konviktet, ndërtesat industriale, ndërtesat kulturore artistike, ndërtesat arsimore, shëndetësore, sportive(rekreative) etj.  Ndërtimet e papërfunduara dhe tejkalimet e lejes ndërtimore.

Komuna e Prishtinës ka 46 mijë ndërtime pa leje e pak aplikime për legalizim