Komuna e Prishtinës ka 46 mijë ndërtime pa leje e pak aplikime për legalizim

Komuna e Prishtinës në vitin 2019 ka filluar procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje që janë bërë deri në vitin 2018.

Afati ka qenë në plan të mbyllet në shtator të këtij viti, por për shkak të numrit të vogël të aplikimeve, komuna ka shtyrë afatin deri në shtator të vitit 2022.

Në vitin 2015 është bërë regjistrimi i objekteve pa leje në komunën e Prishtinës, ku rezultoi se 46 mijë ndërtime janë pa leje.

Komuna prej kur ka filluar procesin e legalizimit ka organizuar disa fushata vetëdijësuese, por edhe përkundër faktit se janë bërë gati dy vite prej kur ka nisur ky proces, numri i aplikimeve për legalizim nuk është i kënaqshëm.

Ardian Olluri nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës për KALLXO.com ka thënë se me ligjin aktual janë 4 mijë e 14 aplikime për legalizim.

“Me programe të mëhershme të legalizimit 2010-2016 janë 6,500 aplikime, ndërsa me ligjin aktual deri me tash janë 4,014 aplikime”, ka thënë Olluri.

Legalizimi i ndërtimeve pa leje është i ndarë në dy kategori: shtëpi dhe objekte me shumë njësi.

Ndarja në kategori e ndërtimeve dallon edhe në pagesë.

Olluri potencoi se pagesa për shtëpi është 1 euro për m2, kurse për objekte me shumë njësi dhe afarizëm, 2 euro m2.

“Shtëpi të kategorisë I dhe shtëpitë kategorisë II (mbi 450 m2 ) 1 € m2. Kategoria II objektet me shumë njësi, afarizmi, ndërhyrjet pa leje ne objektet me leje etj, 2 € m2”, shtoi tutje Olluri.

Sipas tij, ndërtimet deri në vitin 2004 dhe përfituesit e skemave sociale janë të liruara nga taksa.

Çmimi i legalizimit të një objekti varet nga sipërfaqja e ndërtesës, kurse sa i përket zonave ku janë kryer punimet pa leje, nuk ka dallim në pagesë.

“Çmimi për m2 i legalizimit të një ndërtese shumëkatëshe është 2 € m2, varësisht prej sipërfaqeve të ndërtesës. Nuk ka dallim në çmim sa i përket zonave ku janë ndërtuar”, potencoi tutje drejtori i Urbanizmit.

Lidhur me objektet pa leje të cilat janë shitur tek pronarë të rinj, Olluri tha se të gjitha do trajtohen në bazë të ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Sipas të dhënave të kësaj drejtorie për legalizim të objekteve të kategorisë së dytë nevojiten edhe deklarata të profesionistëve të fushës që deklarojnë se objekti i plotëson kushtet për legalizim.

Ndërtimet që duhet t’i nënshtrohen procesit të legalizimit janë: Të gjitha ndërtimet pa leje të evidentuara në fotografitë nga lartë para datës 05 Shtator 2018 përfshirë këtu: shtëpitë, garazhat në shërbim të shtëpisë, ndërtesat bujqësore, shtëpitë me afarizëm, depot, ndërtesat shumë banesore dhe afariste, administrative, anekset dhe mbindërtimet e ndërtesave , hotelet , konviktet, ndërtesat industriale, ndërtesat kulturore artistike, ndërtesat arsimore, shëndetësore, sportive(rekreative) etj.  Ndërtimet e papërfunduara dhe tejkalimet e lejes ndërtimore.

Kurse, ndërtimet që do lirohen nga taksa janë si në vijim:

Ndërtimet me interes publik apo financim të Qeverisë, të rindërtuara nga lufta, konfliktet, trazirat shoqërore ose forcës madhore,  përfituesit e skemës sociale, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët e luftës, ish-të burgosurit politikë, personat me aftësi të kufizuara, si dhe të gjitha kategoritë tjera të liruara sipas legjislacionit në fuqi, (lirohen pronarët e ndërtimeve pa leje të Kategorisë I dhe Kategorisë II që janë shtëpi)  Ndërtimet e evidentuara në ortofoton e vitit 2004.

Komuna thekson se të gjitha ndërtimet pa leje për të cilat nuk është dorëzuar aplikacion deri në shtator 2022,  hyjnë në listën e rrënimit, bazuar në nenin 11 të Ligjit nr.06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje.