Adrijana Hoxhiq - Foto: KALLXO.com

Adrijana Hoxhiq mohon të ketë bërë marrëveshje me Listën Serbe

Në një intervistë dhënë për BIRN, Adrijana Hoxhiq, udhëheqësja e Nismës Qytetare (Ujedinjena Zajednica – Adrijana Hoxhiq, UZ-AH), hodhi poshtë pretendimet e bëra nga partitë e tjera boshnjake të Kosovës rreth parregullsive në zgjedhjet e së dielës.

Duke garuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare, UZ-AH fitoi 6,379 vota të dielën dhe kjo nismë duket se do të përfundojë si njësia politike më e votuar që garon për tri ulëset e rezervuara për komunitetin Boshnjak në Kuvendin e Kosovës.

Partitë e tjera që garojnë me UZ-AH përfshijnë Koalicionin Vakat, i cili aktualisht ka 5,672 vota, Nova Demokrastska Stranka, NDS, të cilët kanë marrë 2,763 vota dhe Socialdemokratska Unija, SDU, të cilët kanë 2,434 vota.

Anesa Colakovic nga NDS deklaroi për BIRN se, ashtu siç qëndrojnë aktualisht rezultatet, UZ-AH, koalicioni Vakat dhe NDS do të sigurojnë secila nga një deputet. Ajo shtoi se kjo situatë mund të ndryshojë në varësi të votave me postë të pranuara nga jashtë, të cilat ende janë në proces të verifikimit dhe numërimit.

Sidoqoftë, përfaqësuesit nga NDS dhe SDU e kanë akuzuar UZ-AH dhe Vakat për bashkëpunim me Listën Serbe të mbështetur nga Beogradi për ti fituar këto ulëse.

Në fund të janarit, Duda Balje nga SDU deklaroi për BIRN se Lista Serbe po  inkurajonte votuesit e saj për ti dhënë mbështetje kandidatëve simpatikë të partisë nga komunitetet jo-shumicë etnike jo-serbe të Kosovës, në mënyrë që ta rrisë fuqinë e saj parlamentare. Ajo, në veçanti,  e vuri theksin tek Nisma Qytetare e Adrijana Hoxhiq UZ-AH.

Pas zgjedhjeve, Balje, e cila aktualisht ka gjasa të humbasë ulësen e saj në Kuvend, i ka akuzuar partitë e shumta Boshnjake të Kosovës për marrjen e votave në zonat ku “nuk jeton asnjë Boshnjak”.

Ndërkohë, Emilija Redzepi nga NDS i ka thënë portalit informativ politicki.ba se Lista Serbe kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhjen e deputetëve boshnjakë të Kosovës dhe synonte të fitonte të trija vendet që përfaqësonin komunitetin boshnjak të Kosovës. Ajo gjithashtu vuri theksin tek votat për partitë boshnjake në zonat me shumicë serbe.

Duke iu përgjigjur këtyre akuzave, Hoxhiq tha për BIRN se konkurrentët e saj politikë jane të shqetësuar me humbjen e pushtetit dhe janë të vetëdijshëm se këto akuza janë të pavërteta. “Sulmi kundër meje ka vetëm një qëllim: ti ruajë ulëset që ata i kanë humbur,” tha ajo.

Hoxhiq deklaroi se ajo nuk ka qëllime të përbashkëta me Listën Serbe dhe shtoi se ajo “sigurisht nuk do të” bashkohet me grupin parlamentar partiak në Kuvendin e Kosovës.

Sidoqoftë, sipas të dhënave lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të së dielës të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës, është e qartë se UZ-AH fitoi një numër të madh votash në komunat me shumicë serbe dhe më pak në zonat e shumë  populluara nga komuniteti boshnjak i Kosovës.

Në Komunën e Prizrenit, komunë kjo ku sipas OSBE-së banojnë më shumë se 16,000 Boshnjakë, UZ-AH mori vetëm 225 vota krahasuar me një total prej rreth 6,500 votash të hedhura për tri partitë e tjera të mëdha komunitetit boshnjak: Vakat, NDS dhe SDU.

Ndërkohë, në katër komunat e veriut të Kosovës të populluara me shumicë serbe – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – UZ-AH mori 3,772 vota, krahasuar me më pak se 300 për të tri partitë e tjera.

UZ-AH gjithashtu mori 1,237 vota në Partesh, Ranillug, Novobërdë dhe Shtërpcë, ndërsa sipas profileve komunale të hartuara nga OSBE në vitin 2018, ekziston vetëm një total prej 22 boshnjakësh kosovarë që jetojnë në këto zona. Në Partesh, UZ-AH ka marrë 183 vota pavarësisht se komuna nuk kishte asnjë komunitet të dokumentuar boshnjak.

Hoxhiq i ka pranuar BIRN se ajo nuk ka bërë ndonjë fushatë personale në këto komuna, mirëpo mohoi që Lista Serbe do të duhej falendëruar për votat që ka marrë ajo. “Asnjë nga votat që kam marrë nuk janë blerë apo detyruar nga asnjë lloj presioni,” deklaroi Hoxhiq.

Sidoqoftë, Balje ka premtuar se do ta dërgojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe deklaoi për BIRN se rezultatet e zgjedhjeve ishin produkt i “një sulmi të planifikuar ndaj shtetit multietnik.”

“Kam humbur pasi që nuk kam fuqi ta luftoj Serbinë,” tha Balje. “Ishte e qartë që Hoxhiq kishte mbështetje nga Serbia.”