Abdixhiku për videon e publikuar nga LVV: Këta janë në panik

Në fillim të tetorit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka publikuar një video në të cilën i ka akuzuar partitë opozitare për shkatërrim të shtetit për 20 vite, e tani edhe për sabotim të shtetit përmes sindikatave greviste.

Në videon 2-minutëshe, partia në pushtet ka vlerësuar se opozita dëshiron ta ndalë Qeverinë Kurti duke përmbysur vullnetin e qytetarëve.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka komentuar në RTV Dukagjini këtë video, në të cilën shfaqet edhe ai.

Abdixhiku tha se LVV është në panik.

“Unë kur e kam parë këtë video iu thashë bashkëpunëtorëve: tani këta janë në panik edhe kjo është një hap i ri për të mbuluar atë që nuk po mbulohet dot e që është paaftësia e Qeverisë në dy vite qeverisje të tij” – theksoi ai, duke shtuar se video të tilla  janë mjete për të kamufluar gjendjen në Kosovë.

“Propaganda është mjet i këtij pushteti dhe videot e tilla janë mjete më tepër manipulimi të gjendjes së tanishme dhe nevojës së domosdoshme për të prodhuar lajme të rrejshme. Aty ka shumë pjesë të rrejshme” – tha ai.

Abdixhiku po ashtu ka thënë se njerëzit e shfaqur në atë video e që nuk janë të përfshirë në politikë do të duhej t’u drejtoheshin gjykatave.

“Njerëzit që apostrofohen aty, po të isha si ta… por unë jam njëri prej tyre, por unë jam kundërshtar politik, këtë do ta trajtoj në fushë të betejës politike. Por ata që s’janë në politikë unë do t’i drejtohesha gjykatave të vendit për të trajtuar këtë çështje me ta” – ka vijuar ai.

Kreu i LDK-së gjithashtu ka thënë se është i interesuar që politikën ta bëjnë në argumente e në përballje të ideve.

“Unë në pozicionin e tanishëm e konsideroj propoagandën si të papranueshme edhe për më tepër polarizimin e shoqërisë, pra ndarjen e shoqërisë në grupe të tilla, konflikte të paqena të pavërteta në pjesën më të madhe si të panevojshme. Më tepër jam i interesuar që politikën ta bëjmë në argumente, në përballje të ideve, në përballje të mendimeve që i kemi të ndryshme e kështu me radhë” – është shprehur Abdixhiku.