Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abazi: Kosova është në një moment kritik të alarmit në marrëdhëniet ndërkombëtare

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi në një konferencë për media ka thënë se Kosova është në një moment kritik të alarmit në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas tij, tashmë është momenti që dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë të ndahet nga proceset integruese.

“Nga një javë qëndrimi në Bruksel mund të them që është momenti kritik që dialogu të ndahet nga proceset integruese”- tha Abazi.

Ai gjithashtu shtoi se Kosova patjetërsueshëm preket nga dy çështje ndërkombëtare, ajo e Rusisë dhe krizën e gazit.

“E patë edhe dje në Pragë, janë dy çështje, agresioni i Rusisë dhe kriza e gazit dhe patjetërsueshëm të dyja na prekin në këtu në Kosovë”- tha Abazi, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka vazhduar që ta mbajë agjendën e Kosovës integruese peng të dialogut.

Ai tha se me këtë kuptim Serbia ka vazhduar që dialogun ta përdor si formë të shantazhit edhe të përjashtimit të Kosovës nga procesi integrues.

“Liberalizimi i vizave, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, pjesëmarrja në programet e NATO-s, nuk mund të jetë peng e dialogut dhe Lajçak mund të vendos ta mbajë përgjithmonë dialogun sepse mund të ketë çështje të hapura me Serbinë pafundësisht”- tha Abazi.

Tutje ai theksoi se Kosova nuk mund të jetë peng i kësaj forme të tentimit për ta sjellë normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Abazi kërkon dorëheqjen e Kusarit nga udhëheqja e grupit parlamentar të LVV-së