Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abazi kërkon dorëheqjen e Kusarit nga udhëheqja e grupit parlamentar të LVV-së

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, i cili është edhe deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar dorëheqjen e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

“Po [e kam kërkuar], mungesa e kohezionit që një deputet që nuk është pjesë e LVV-së, e bënë komplekse përfaqësimin e grupit parlamentar. Nuk e shoh vetëm në këtë pozitë” – ka thënë ai.

Tutje Abazi tha se ai nuk është duke u larguar nga kjo parti.

“Nuk jam t’u dalë prej LVV-së, unë mendoj që proceset e rëndësishme brenda VV-së janë kryer, janë kryer zgjedhjet” – ka thënë ai.

Tutje Abazi shtoi se nuk ka dëmtim të proceseve përbrenda VV-së, por sipas tij ekziston domosdoshmëria e hapjes së debatit përtej diskutimeve të brendshme.

“Unë si deputet e natyra ime nuk është as e heshtur e as spektatore, është që ato diskutime as nuk kanë marrë përgjigje ose nuk janë adresuar ose nuk ka vullnet tek kryesuesja e grupit parlamentar për me i mbajtë as minutat e takimeve ku diskutohen çështjet e rëndësishme, për mua mbas dy viteve e kam të vështirë me dalë më thanë që nuk janë realizuar” – tha ai.

Abazi u pyet edhe për çështjen e dorëheqjes së ish-ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, por nuk pranoi të flas për këtë temë.

“Nuk kisha komentu për ministrin sepse nuk kam asnjë informacion” – tha ai.