A mund të preken vizat nga ‘masat kufizuese’, deklarohet zëdhënësi i BE-së

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano nuk ka pranuar të tregoj nëse ‘masat kufizuese’ të cilat BE i ka marrë dhe ka paralajmëruar se do t`i marrë përfshinë edhe revokimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në një konferencë për media, zëdhënësi Stano theksoi edhe njëherë se masat e marra deri tani përfshinë shtyrje të vizitave zyrtare, komiteteve, ose ngjarjeve që janë planifikuar ose kanë qenë duke u planifikuar, duke përfshirë edhe bashkëpunimin financiar me Kosovën.

“Unë nuk do të hyjë në detaje, pala kosovare është mirë e informuar për mendimin e BE, për pritjet e BE, këto masa nuk janë diçka që BE i ka marrë lehtë por këto janë masat që janë veprime të nevojshme të BE për faktin që deri tani s’kemi parë asnjë hap vendimtar me kuptim për shtendosje të menjëhershme”- tha ai.

Stano ka ripërsëritur edhe njëherë që masat e BE-së nuk janë sanksione ndaj Kosovës.

“Edhe njëherë siç jam munduar ta sqaroj dje, këto nuk janë sanksione ose masa kufizuese, kur ne e përdorim fjalën sanksione ose masa kufizuese kjo do të thotë masa të cilat janë të bazuara në një kornizë ligjore për sanksionim, ky nuk është rasti për Kosovë. Këto janë masa, këto janë instrumente të cilat po i përdorim për të treguar se BE është serioze në pritjet e saj për shtendosje dhe veprim në rast se nuk ndodhë shtendosja”- tha ai.

BE dje ka njoftuar se ndaj Kosovës janë marrë masa kufizuese të menjëhershme për shkak të mos shtendosjes së situatës në veri të vendit. BE poashtu ka paralajmëruar se nëse nuk ndodhë shtendosja mund të ketë edhe pasoja të tjera pa treguar cilat janë ato.

Qytetarët e Kosovës kanë marrë liberalizimin e vizave këtë vit pas një pritjeje shumë të gjatë.

Vendimi për udhëtim pa viza pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2024.

BE-ja vendos ‘masa kufizuese’ ndaj Kosovës