A do të vazhdojë restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës?

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, në intervistë në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se është duke punuar për vazhdimin e punimeve në restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës.

Çeku ka thënë se ky projekt duhet të përfundojë me mbështetjen e ndërkombëtarëve si dhe vetë ambasadorit gjerman Jörn Rohde.

“Unë po bëj çmos në komunikim të rregullt jo vetëm me ambasadorin gjerman, por edhe me UNDP dhe BE që ky restaurim të vazhdojë, të përfundojë dhe ai monument t’i kthehet në shërbim komunitetit, dhe unë besoj që ky restaurim duhet të vazhdojë ashtu siç e kemi nisur, me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Çeku.

Ministri Çeku tha që BE dhe ambasadori mund të marrin kohën e nevojshme për t’i sqaruar dilemat e tyre, por që, sipas tij, projekti në fund duhet të përfundojë me mbështetjen e tyre.

“Kanë nevojë për pak kohë, kanë nevojë për kohë shtesë, dakord jemi. Po unë besoj që duhet të kryejmë këtë punë bashkë me ndërkombëtarët, mbase bashkë me ambasadorin gjerman dhe mbështetjen e tij”, theksoi ai.

Ministri Çeku gjithashtu tha se është takuar disa herë me ambasadorin e Gjermanisë,  Jörn Rohde, i cili ishte shprehur i shqetësuar me planet për restaurimin e shtëpisë së Devës, pasi që sipas tij ai ka qenë bashkëpunëtor i nazistëve gjermanë.

“Unë besoj që debatin historik duhet ta zhvillojnë profesionistët, detyra ime si ministër i Kulturës është ta mbroj trashëgiminë kulturore. Institutet e specializuara, organizatat e shoqërisë civile, studiuesit, akademikët duhet ta zhvillojnë debatin historik, unë po provoj me mbrojtë artefaktin”, tha ai.

Ministri i Kulturës në Qeverinë e Kosovës foli edhe për debatin i cili u krijua në Kosovë për çështjen e restaurimit të kësaj shtëpie.

“Kjo ka mundur të zhvillojë një precedent shumë të rrezikshëm, të krijojë një diskurs ku personaliteti historik mbas të cilit emërohet një monument me u shndërru në arsyen nëse duhet ose jo me e mbrojtë një monument”, tha ai.

“Ne kemi qenë të vendosur me i dalë përpara secilit dhe për m’i tregu që monumenti i ka vlerat e veta dhe duhet të mbrohet, edhe nëse e kaluara dhe historia e atij monumenti mund të ketë anë të errëta”, shtoi ai.

Çeku tha se çështjen e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës më së pari e ka ngritur ministrja e Kulturës në Qeverinë e Serbisë.

Pas disa polemikave në Kosovë, më 8 shkurt, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Bashkimi Evropian kanë pezulluar projektin për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

Për planet e MKRS për restaurimin e këtij monumenti ambasadori gjerman Jorn Rohde ishte shprehu i shqetësuar, pasi që sipas tij Deva ishte bashkëpunëtor i njohur nazist.

Ndërsa historiani Jusuf Buxhovi e ka vlerësuar lartë figurën e Devës duke thënë se projekti për restaurimin është i qëlluar.

Sipas Buxhovit ambasadori gjerman është ndikuar nga politikat e Beogradit.

Jusuf Buxhovi vlerëson figurën e Xhafer Devës