Kryeministri Albin Kurti me delegacionin e tij të Lëvizjes Vetëvendosje në Itali, Foto: Albin Kurti/Facebook

Kurti për zgjedhjet evropiane të PES: Nuk janë të rëndësishme vetëm për socialdemokratët e Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e pjesëmarrjes së tij në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropian (PES), në Romë të Italisë, ka ndarë disa nga momentet kryesore të këtij Kongresi.

Qëllimi i këtij Kongresi ka qenë i përqendruar në zgjedhjet evropiane që do të mbahen më 09.06.2024, në 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Kurti i ka vlerësuar zgjedhjet evropiane si zgjedhje të rëndësishme, pasi sipas tij, nga rezultati i tyre varet demokracia evropiane.

“Këto zgjedhje evropiane nuk janë të rëndësishme vetëm për socialdemokratët e Evropës. Nga rezultati i këtyre zgjedhjeve varet demokracia evropiane dhe vlerat tona të përbashkëta: drejtësia shoqërore dhe sundimi i ligjit, kushtet e dinjitetshme të punës dhe luftimi i varfërisë, të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore, beteja kundër regjimeve autoritare dhe mbrojtja e mjedisit, solidariteti dhe paqja panevropiane” – ka shkruar Kurti.

Me këtë rast, Kurti ka cituar Presidentin e PES-it Stefan Löfven: “Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që nga viti 1979.”

Më tej, fjalët “Roma na e përkujton se asnjë ëndërr nuk mund të rritet pa njerëz ambiciozë dhe asnjë ambicie nuk mund të mbijetojë pa guxim. Kjo është arsyeja pse ne kujdesemi për Bashkimin Evropian. Për ne Evropa do të thotë paqe, zhvillim dhe përparim” ishin fjalët me të cilat zyrtarisht u bë hapja e fushatës së PES, ka njoftuar Kurti.

Sipas Kurtit, kjo fushatë zgjedhore mbahet nën moton “Evropa që e duam: sociale, demokratike dhe e qëndrueshme”.

Si përfundim, Kurti ka bërë të ditur se në mënyrë unanime u miratua manifesti i PES-it dhe Nicolas Schmit si kandidati i përbashkët i PES-it.

Kurti ka marrë pjesë në këtë Kongres me një delegacion të Lëvizjes Vetëvendosje, ku në mesin e tyre shihet se ka qenë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Në anën tjetër, Kurti përgjatë pjesëmarrjes së tij në Kongres, ka folur për marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë.

Në një intervistë për Agjencinë e lajmeve italiane (AGI), ai ka deklaruar se ka ende probleme në kufirin me Serbinë.