Jusuf Buxhovi vlerëson figurën e Xhafer Devës

Projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.

Ditë më parë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde,e është shprehur kundër planeve për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës.

Lidhur me komentet e ambasadorit gjerman pati reagime të shumta.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në reagimin e tij kishte thënë se me projektin e restaurimit të shtëpisë nuk po bëjnë rehabilitim të figurave.

Pas shumë diskutimeve dhe debateve u vendos për pezullimin e punimeve për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, historiani Jusuf Buxhovi ka folur rreth kësaj çështjeje.

Buxhovi është shprehur se projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafër Devës është i qëlluar. Ai theksoi se projekti më shumë është kulturor.

“Projekti më shumë është kulturor. Ka të bëjë me një objekt të kulturës, objekt që i takon trashëgimisë kulturore të Kosovës, nuk ka të bëjë me Xhafer Devën”, theksoi Buxhovi.

Duke komentuar deklaratën e ambasadorit gjerman, Jusuf Buxhovi ka thënë janë disa gjëra të pavërteta. Sipas Buxhovit gjatë fashizmit është rikthyer administrata shqipe.

Buxhovi ka thënë se Xhafer Deva ishte njëri prej intelektualëve më të mëdhenj shqiptar.

“Xhafer Deva filloi emancipimin e tij arsimor gjatë Perandorisë Osmane, në vitet e 30-ta ai ishte kthyer nga Vjena si ndërmarrës. Xhafer Deva ishte i ndikuar nga politika gjermane. Ai ka pasur edhe një firmë të veten”, ka thënë Buxhovi.

Buxhovi thotë se Xhafer Deva e ka ditur se boshti ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë, të cilit më vonë iu bashkua edhe Bullgaria, do të jetë ai që do ta përmbysë rendin botëror.

“Ai e ka pasur bindjen që gjermanët do të jenë ata që çështjen shqiptare do ta rikthejnë në normalitet. Unë mendoj që ai ka qenë bashkëpunëtor i gjermanëve për interesa të kombit shqiptar”, ka thënë Buxhovi.

Historiani ka folur edhe për momentin kur Xhafer Deva ka dalë në skenë për herë të parë.

“Xhafer Deva deri në vitin 1941 nuk ka qenë aktiv, nga 1941 e tutje në momentin kur kapitullon Jugosllavia, Xhafer Deva del në skenë”, ka thënë Buxhovi.

Buxhovi ka thënë se ambasadori gjerman mund të jetë ndikuar nga propaganda e Beogradit.

“Ne jemi mësuar nga propaganda e Beogrardit. Ai ka bërë një gabim faktografik kur thotë që se ka marrë pjesë në Holokaust, nuk ka fakte për këtë. Fakti më i madh është që Xhafer Deva ka qenë aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Buxhovi.