Projekti i stadiumit të ri nacional të Kosovës

Ministri Çeku tregon se si do të caktohet lokacioni për ndërtimin e stadiumit kombëtar

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se vendi ku do të ndërtohet stadiumi kombëtar do të caktohet në kuadër të një master-plani, i cili, sipas tij, do të hartohet më së largu gjatë verës që vjen.

Ministri Çeku tha sot gjatë raportimit para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës se në Kuvend shumë shpejt do të dërgohet Ligji për Lojërat Mesdhetare, në kuadër të të cilit do të vendoset edhe për lokacion për stadiumin kombëtar.

“Në Kuvend së shpejit vjen Ligji për Lojërat Mesdhetare. Ai Ligj përcakton krejt veprimet, përfshirë themelimin e komitetit organizativ dhe porositet master-plani, i cili u jep përgjigje shumë çështjeve, sidomos lokacionit të stadiumit nacional”- tha ministri Çeku gjatë raportimit.

Sapo të caktohet lokacioni, ka thënë më tej Çeku, do të nisin procedurën për ndërtimin e stadiumit.

Më 2014, Qeveria e atëhershme e Kosovës mori vendim që stadiumi kombëtar të ndërtohet në Prishtinë, më saktësisht në Bërnicë, por ky vendim u ndryshua në vitin 2017, kur Qeveria e Kosovës vendosi që lokacioni për ndërtimin e stadiumit kombëtar të jetë te Zona Ekonomike e Drenasit.

Pavarësisht këtyre vendimeve ende nuk ka vendim për lokacionin se ku do të ndërtohet ky stadium.

Lojërat Mesdhetare 2030 do të organizohen në Kosovë, në bashkëpunim me Shqipërinë.