Salla e koncerteve ne Vjenë. Foto: Facebook/Kori ‘Siparantum’.

Ministri Çeku përgëzon korin “Siparantum” për performancën në Vjenë

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka përgëzuar korin “Siparantum” (Siparantum Choir) nga Peja, i cili deri dje përformoi së bashku me orkestrën simfonike të Vjenës dhe korin vjenez “Singakademie” në Vjenë për festën e Vitit të Ri.

Sipas ministrit Çeku artistët e Kosovës po vazhdojnë me paraqitje në skena të njohura botërore. 

‘’Koristët e Siparantum Choir gjatë festave të fundvitit ndanë skenën me Orkestrën Simfonike të Vjenës dhe Korin ëiener Singakademie. Përgëzime udhëheqësit të korit, dirigjentit Memli Kelmendi – Composer/Conductor dhe gjithë ekipit të Siparantum për këtë arritje’’ – ka shkruar ministri Çeku në profilin e tij në Facebook.

Me këtë rast, ministri Çeku i ka falënderuar për promovimin e Kosovës, siç e quan ai “në mënyrë të shkëlqyeshme nëpër botë”.

Kori “Siparantum” ka mbajtur koncert më 30, 31 dhjetor 2023 dhe 1 janar 2024 në sallën e koncerteve në Vjenë (Wiener Konzerthaus), ku ka interpretuar veprën “Simfonia e 9-të” e kompozitorit gjerman Ludvig van Beethoven.

Prezantimi i korit “Siparantum” në koncertin tradicional të “Simfonisë së 9-të” të Beethovenit, vjen pas suksesit që ky kor arriti në fund të tetorit 2023 në garat e koreve europiane në Suedi ku mori medaljen e artë të këtyre garave.