Ilustrim

7 persona të arrestuar në 24 orët e fundit për dhunë në familje

Në 24 orët e fundit Policia e Kosovës ka arrestuar 7 persona të dyshuar për dhunë në familje, në pesë komuna të ndryshme të Kosovës.

Sipas Raportit të Policisë, në Prishtinë një person është arrestuar, pasi i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish gruas së tij. Sipas njoftimit, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Lipjan, dje rreth orës 13:30 një person është arrestuar pasi i njëjti në vazhdimësi ka kanosur dhe u ka bërë presion familjarëve të tij. Me urdhër të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Dragash, në mëngjesin e djeshëm është arrestuar një person, pasi në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. I dyshuari me vendim të Prokurorit është dërguar në ndalim policor, derisa është këndellur e më pas është dërguar në mbajtje.

Në komunën e Deçanit, rreth orës 15:30 të ditës së djeshme është arrestuar një person, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të Prokurorit edhe ky person është dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë, mbrëmë rreth orës 21:00 një person është arrestuar pasi ka ushtruar dhunë fizike të vazhdueshme ndaj gruas së tij. Viktima ka marrë tretman mjekësor dhe pastaj me dëshirën e saj është dërguar te familja e saj. Me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Gjithashtu në Gjakovë, rreth orëve të mbrëmjes së djeshme është raportuar një tjetër rast për dhunë në familje. Një person është arrestuar pasi i njëjti dyshohet se në gjendje të dehur ka ofenduar gruan dhe fëmijët e tij dhe ka demoluar shtëpinë. Me urdhër të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në komunën e Leposaviqit një femër ka raportuar se djali i saj nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar atë dhe vajzën e saj. Nuk është raportuar për të lënduar, ndërsa me vendim të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.