16-vjeçari u rrah dhe u la në hyrje të Pejës, arrestohen dy të dyshuar

Dy persona janë arrestuar nën dyshimin se të njëjtët kanë rrahur një 16-vjeçar, dje gjatë ditës në Pejë.

Lidhur me këtë ngjarje, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë për KALLXO.com se dy të arrestuarit momentalisht gjenden në Stacion Policor duke u marrë në pyetje.

“Aktualisht jemi në fazën e veprimeve intensive hetimore për këtë çështje penale. Policia e Kosovës me herët ka arrestuar dy persona për ketë rast, të cilët momentalisht gjenden në Stacion Policor duke u marrë në pyetje” – ka thënë Nikçi.

Ai tutje ka thënë se Prokurori i shtetit këtë rast e ka cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor” dhe se nuk mund të ndahen informata të tjera rreth kësaj çështje.

Pak më parë KALLXO.com raportoi detaje lidhur me ngjarjen në fjalë. Burimet kanë bërë të ditur se i mituri ishte marrë nga një pompë derivatesh ku ai punon dhe është dërguar në një lokacion tjetër.

Siç mësohet aty, ai është rrahur duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe më pas është lënë në hyrje të qytetit të Pejës.

Nga aty i mituri është dërguar për trajtim mjekësor.

Dyshohet se 16-vjeçarin e rrahën tre persona dhe më pas e lanë në hyrje të qytetit të Pejës