Renea Begolli shpallet fituese e çmimit ‘Artistët e së nesërmes 2023’

Artistja Renea Begolli ka fituar çmimin “Artistët e së nesërmes 2023” (Artists of Tomorrow Award 2023) që e organizon Qendra për art bashkëkohor, “Stacion” në Prishtinë.

Qendra “Stacioni” ka bërë të ditur se një juri në përbërje të Julieta Aranda, Milana Dungjerin (Miljana Dunđerin), Agrina Vllasaliu, Alper Turan e Driton Selmani, ka përzgjedhur Renea Begollin fituese e  çmimit “Artistët e së nesërmes 2023” për veprën “Skies extended” (Qiej të zgjatur).

Në garë për çmimin “Artistët e së nesërmes 2023” ishin edhe Shkamb Jaka dhe Arbesa Musa.

Ekspozita e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2023 me artistët finalistë, Begolli, Jaka e Musa, u hap më 10 nëntor 2023.

Në arsyetimin e jurisë për përzgjedhjen e fituesit të  ekspozitës “Artistët e së nesërmes 2023”, vlerësoi se me veprën saj, Begolli ka zgjedhur ta zgjerojë punën e saj përtej kufizimeve dy-dimensionale të sipërfaqes së pëlhurës dhe paraqet një instalacion që mund të përshkruhet si “pikturë e zgjeruar”.

“Përdorimi i saj i ngjyrës është intuitiv dhe tërheqës, shpesh duke rezultuar në kontradikta produktive midis temës së saj dhe paletës së ngjyrave, ose midis planeve të përfaqësimit – si në punën në këtë ekspozitë, ku dyshemeja përfaqëson qiellin”- thuhet ndër të tjerash në vlerësimin e jurisë për përzgjedhjen e artistit fituese të ekspozitës “Artistët e së nesërmes 2023”.

Fituesi i ekspozita “Artistët e së nesërmes 2023″ do të shpërblehet me një program dy mujor të qëndrimit artistik në Nju Jork, SHBA, në Residency Unlimited në periudhën qershor-korrik 2024 dhe një ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të “Stacion” – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për vitin 2025.