Festivali Mirëdita Dobar dan në Beograd, 2022. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

'Mirëdita, dobar dan', mes nismave shoqërore, dialogut politik dhe ëndrrave për pajtim

Mes alarmit për bombë, këngëve nacionaliste serbe e protestave të vogla, kosovarët dhe serbët u bashkuan nëpër hapësira kulturore të Beogradit me qëllimin që përmes artit dhe kulturës të ndërtojnë ura bashkëpunimi për ndërtimin e paqes në rajon.

Delegacionit kulturor të Kosovës iu deshën rreth shtatë orë rrugë për të mbërritur në Beograd, ku nuk do të zhvillonin negociata politike mes dy vendeve, por debate publike dhe aktivitete kulturore- artistike mes artistëve, aktivistëve të dy vendeve.

Që prej kufirit me Serbinë ku ndryshe prej viteve tjera nuk pati kontrolle të ashpra policore, ekipi kosovar i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, nën përcjelljen e Policisë serbe mbërriti e qëndroi në Beograd pa asnjë incident direkt.

Ndryshe nga edicionet e kaluara, rrugët e kryeqytetit serb nuk ishin mbushur me protestues që kundërshtojnë me dhunë festivalin që ka qëllim pajtimin dhe bashkëpunimin mes dy shoqërive.

Grupe të vogla protestonin me këngë nacionaliste serbe, përderisa në anën tjetër Policia e ndërpreu ceremoninë hapëse të festivalit pas një alarmi për bombë në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor, alarm që doli të jetë i rremë.

Pas alarmit për bombë, pjesëmarrësit në festivalin Mirëdita, dobar dan, largohen nga objekti i Qendrës për Dekontaminim Kulturor, Beograd, 2022. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Pas 40 minuta kontroll nga Policia, nën euforinë e alarmit për bombë, pjesëmarrësit u kthyen përsëri në Qendër për t’i ndarë mirënjohjet e nderit “Mirëdita, dobar, dan”, të mbijetuarit të Masakrës së Mejës, Lush Krasniqit dhe serbit të lindur në Istog, Marinko Djuriq.

Krasniqi tha që ata që kërcënojnë artin dhe kulturën për viktimat me bomba, duhet ta dinë se bombave që nga viti 1905 nuk ia ka parë askush të mirën.

“Ne si familjarë që kemi humbur më të dashurit tanë, ndjejmë njësoj si këtu si në Serbi, si në Bosnjë dhe si në çdo vend ku ka ndodhur lufta. Asgjë më e vërtetë nuk del sesa nga shpirti i një të viktimizuari”, tha Krasniqi.

Lush Krasniqit, Beogradi aq sa i duket qytet kulturor aq edhe ia kujton trupat e zhvarrosur të dy vëllezërve dhe xhaxhait të tij nga lufta në Kosovë. Ai, zor që arrinë ta ndaj kulturën e kryeqytetit serb nga politika që e sundon Serbinë e që i kishte shkaktuar dhimbje të mëdha.

Ndarja e çmimeve të nderit Mirëdita, Dobar dan. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Ndërsa, Marinko Djuriq tha që është detyrë njerëzore që t’i shtyjnë të rinjtë në nisma të tilla që kanë qëllim bashkëpunimin ndërkulturor.

“Unë kam lindur në Istog dhe kam jetuar atje teksa edhe fqinjët e mi kanë qenë shqiptarë. Kultura serbe i ka borxh Bekim Fehmiut, djalit të tij Uliskit, sepse pa veprat e tyre të mëdha që i kanë lënë pas vete, ne do të ishim shumë më të varfër”, thotë Djuriq.

Festivali i përbashkët i cili zgjati nga 25 deri më 28 maj mes një audience të përzier u përcjell me shfaqje, film, promovim të librit, debate e muzikë në gjashtë lokacione të ndryshme private në Beograd. 

Zgjidhja: Dialogu politik apo dialogu socio-kulturor?

Në vitin 2011 kishin filluar negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm tri vite më vonë kishte filluar festivali “Mirëdita, dobar dan”. Të dy me qëllim zgjidhjen e problemeve dhe vendosjen e paqes mes dy vendeve.

Përderisa akterët kulturorë të dy palëve janë takuar nëntë herë, herë në Beograd e herë në Prishtinë, sa herë janë takuar për dialog akterët politikë, as saktë nuk dihet.

Kushtrim Koliqi drejtor i organizatës që organizon festivalin thotë që kjo nismë kulturore i ka përafruar më shumë për bashkëpunim dy palët, se sa dialogu Kosovë – Serbi.

Sipas tij, shumëçka ka ndodhur për nëntë vite në botë, por pak ka ndryshuar raporti dhe qëndrimet e politikanëve në Serbi e Kosovë, duke pamundësuar zgjidhjen e shumë problemeve e çështjeve të trashëguara nga lufta.

Koliqi konsideroi që organizimi i festivalit është i rëndësishëm në rikujtimin e asaj që njerëzit duan, njohje e pranim të kaluarës e vuajtjeve të viktimave.

Festivali Mirëdita, dobar dan në Beograd, 2022. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

“Mua më vjen keq që një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë serbe ende manipulohen dhe kontrollohen prej sistemit. Më vjen më shumë keq për ta, se tek ne në Kosovë tri herë që e kemi mbajtur festivalin dhe nuk ka pasur asnjë ekses,” tha ai.

Bashkëpunimi mes dy shoqërive përmes artit dhe kulturës po kërkohet edhe nga rinia në Serbi.

Fiona Jeliq nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi tha që përderisa politikanët merren me armatime duke forcuar ushtrinë, shoqëritë duhet që të shikojnë njëri-tjetrin dhe të flasin mes vete.

Në anën tjetër, Lush Krasniqi duke qenë i mbijetuar i Masakrës së 27 prillit thotë që pavarësisht nismave dhe aktiviteteve të organizatave, pa ndryshim të sistemit politik në Serbi nuk mund të ndërroj asgjë mes dy shteteve.

“Vullneti është diçka tjetër, por duhet me pasë forcën për me realizu diçka si politike, ekonomike a popullore,” i tha ai BIRN-it.

“Zgjoi” zgjon Beogradin

Filmi nga Kosova, Zgjoi i cili shpërfaq realitetin e grave të Krushës së Madhe në jetën e pasluftës, me dhimbjen për të pagjeturit dhe paragjykimet që ndeshen gratë, mbushi me kosovarë e me serbë Kinotekën Jugosllave në Beograd.

Interesimi për filmin ishte i madh, aq ishin duartrokitjet që e përcollën përfundimin e filmit.

Aktorja e filmit e cila përfaqësoi ekipin në festival, Adriana Matoshi tha që vetëm përmes artit që duhet të pushtoj të gjitha skenat kulturore mund të shpërfaqin përjetimet famëkeqe të kosovarëve para, në, dhe pas luftës.

Shfaqja e filmit ‘Zgjoi’ në Kinotekëm Jugosllave në Beograd, 2022. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

“Vetëm me art dhe me kulturë mundemi me shpreh atë që e kemi perjetuar. Vetëm me këto mundemi me tregu çka kemi në zemrat tona,” tha Matoshi para audiencës.

Rrëfimi jetësor i Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe në Rahovec që tregon dhimbjen dhe shpresën për burrin e saj të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë dhe sfidat e saj për t’u bërë një grua e pavarur financiarisht në një shoqëri patriarkale.

E ngazëllyer nga filmi doli nga salla aktorja serbe Branka Petriq, njëherazi gruaja e aktorit shqiptar Bekim Fehmiu.

Petriq u shpreh e mërzitur për gratë e Krushës të cilat luftuan shumë për ta gjetur dritën në fund të tunelit, pavarësisht barrierave. Njëherazi u ndje e ngazëllyer që në Kosovë prodhohen filma aq të mëdhënj që kanë prekur skenat botërore.

Aktorja serbe, Branka Petriq – gruaja e aktorit të njohur Bekim Fehmiu në Festivalin Mirëdita, dobar dan. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

“Unë isha shumë e lumtur kur e pashë filmin. Ishte një film shumë i thjeshtë, por shumë i sinqertë. Në të njëjtën kohë shumë i thjeshtë dhe shumë i komplikuar. Nëse kishte me qenë Bekim Fehmiu gjallë dhe e ta kishte parë këtë film do t’i kishte pëlqyer shumë,” na tha ajo.

E përbashkëta e Ballkanit Perëndimor 

“Stiffler” është shfaqja e cila përsëriti për rreth shtatë herë duartrokitjet e publikut pas euforisë që dha një realitet i lënë pasdore në Ballkanin Përendimor, jeta e punëtorëve të seksit.

Me skenar të Dori Basha dhe regji të Kushtrim Koliqit,  shfaqja shpërfaqi përvojën e Havës, punëtores së seksit e cila e therur me thikën stiffler, ndeshet me institucione që nuk iu intereson dhimbja nga thika, por arsyet se pse i është ngulur thika në shpinë.

E rrethuar me norma morale e tradicionale, duke u ndërruar skenat nëpër institucione të ndryshme që dominojnë burrat të luajtur nga aktorët Adrian Morina dhe Armend Ismajli, protagonistja asnjëherë nuk konsiderohet njeri, por një kurvë, prostitutë, lavire dhe prishëse e rendit shoqëror.

Përgjatë 24 orëve, Hava e luajtur nga aktorja Rebeka Qena kërkon ndihmë në spital, polici, tek familja e saj por nuk iu ofrohet ndihmë. Dhimbja e saj dha anashkalimi e përcjellin deri në varr.

Shfaqja Stiffler në skenën e Qendrës për Dekontaminim Kulturor, në kuadër të festivalit Mirëdita, dobar dan, 2022. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Regjisori i shfaqjes, Kushtrim Koliqi tha që pavarësisht që në festival mundohen të sjellin tema që kanë lidhje me të kaluarën,mundohen të shërbejnë tema të cilat janë të adaptueshme dhe të aplikueshme edhe në vende tjera të Ballkanit.

“Përveçëse që këto punëtore të seksit, gra e burra që dojnë me i dhënë këto shërbime cenohen prej ligjit, cenohen prej moralit, cenohen edhe prej shoqërisë që është në kuadër të asaj që edhe unë e kam si koncept për të qenë artist,” tha ai.

Sipas Koliqit, artisti nuk duhet t’i shohë vetëm elementet artistike dhe estetike të një produkti, por duhet të trajtojë temë e cila nuk trajtohet shpesh, app si i quan ai tema ‘nën tepih.’

“Ky grup i njerëzve  kanë të drejta si krejt ne, dhe është fakt që ekziston si grup edhe duhet me u merr me problematikën që ata ballafaqohen,” tha ai.

Se sa është vështirë që të aktrohet një rol që ulë mendësinë e burrave shqiptarë, aktori Armend Ismajli tha që si temë komunikon me çdo shoqëri që e ka këtë problematikë.

“Në teatër është vetëm gjuha, titrimi që tregon që është shqipfolëse. Mizogjiniteti mashkullor ndaj grave është çdo kund i njëjtë, si në filma holandez, anglez etj e sheh si është trajtimi ndaj punëtoreve të seksit. Nëse ia largon gjuhën edhe veç e lexon jam i bindur që 99 përqind nuk e dinë që cilit nacionalitet i takon ai burrë,” tha ai.

Rrëfimet e të burgosurve si hije të shtrembëruara

Rrëfimet e 11 të ish të burgosurve politik shqiptarë në burgun e Goli Otokut u botuan në një libër që shpërfaq mizorinë e ushtruar ndaj shqiptarëve vetëm për shkak të bindjeve të tyre. 

“Hije të Shtrembëruara” që u prezantua në festival në ditën e tretë në vendin e Miljenko Dereta, sjell rrëfimin e shqiptarëve të Kosovës që ishin burgosur në Goli Otok dhe rezistencën e tyre kundër trajtimit të padrejtë nga federata jugosllave.

Rrëfimet që rrëfejnë ish të burgosurit politikë në këtë libër i përkasin një periudhe të shumë ngjarjeve të rëndësishme që mbeten të dokumentuara dobët, sepse rrëfimi u shkatërrua nga lufta e vitit 1999.

Sipas redaktores së librit, Aurela Kadriut Goli Otoku është një rrëfim i madh, një narrativë e gjatë dhe përvoja e shqiptarëve në Goli Otok është e veçantë. 

Kadriu konsideron që ky libër përpos që shërben si dokumentim mbi përvojën e shqiptarëve në Goli Otok.

“Ky libër shërben si dije edhe mbi përvojën e shqiptarëve të burgosur prej vjetësh në përgjithësi, për shkak se rrëfimet që janë këtu, nuk janë të izoluara”, thotë Kadriu.

Promovimi i librit ‘Hijet e Shtrembëruara’ në festivalin Mirëdita, dobar dan në Beograd, 2022. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Në anën tjetër, historiania Olga Manojloviq tha që se Goli Otoku është çështje intriguese në diskursin politik dhe dimensionin publik.

“Kjo çështje ka hyrë edhe në projekte te ndryshme në kinematografi dhe po ashtu ka ekzistuar një vrull që si i tillë ka konsistuar në mosbesim,” tha ajo.

Ishulli i Goli Otok-ut në Detin Adriatik, i njohur si Alkatrazi kroat, ishte nga viti 1949 deri më 1956 i vetmi kamp famëkeq në territorin e ish-Jugosllavisë.

Korab Krasniqi nga Forumi i Kosovës ZDF këtë libër e konsideroi testament apo dokumenti historik i cili i shërben kulturës kolektive në Kosovë.

“Ky libër na rikujton një pjesë të historisë të shqiptarëve por edhe të grupeve të tjera të Jugosllavisë që janë parë si kërcënim ideologjik. Libri fokusohet në rrëfimet e shqiptarëve por edhe ndërton një pikturë të natyrës së jetës që është bërë në burgje”, shprehet Krasniqi.

Paralelet që nuk duhet të tërhiqen

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, paralele të shumta ishin tërhequr për ngjashmëritë mes dy luftërave, asaj të Kosovës dhe Ukrainës. Në një debat të shtruar në Beograd, u diskutua se sa është e arsyeshme të tërhiqen paralele mes dy luftërave që zhvillohen në kohë të ndryshme.

Aq sa ka ngjashmëri, aq ka edhe dallime të theksuara, vlerësuan panelistët.

Analisti dhe politikani, Visar Ymeri konsideron që mund të ketë ngjashmëri në mënyrën se si i shohim zhvillimet e caktuara si bombardimet e shtëpive, përjashtimin e njerëzve nga Ukraina, që ngjason me realitetin e luftës në Kosovë. 

Por në rrafshin politik, Ymeri thotë që duhet të kemi parasysh se Pavarësia e Kosovës vjen si rezultat i shkrirjes së Jugosllavisë. 

Foto: Mirëdita, dobar dan në Facebook.

“Intervenimi i NATO-s ka qenë i përqendruar edhe territorialisht, kurse invasioni rus ka tjetër qëllim: pushtimin e Ukrainës,” tha ai.

Ndërsa, gazetari dhe publicisti Boris Varga tha që lufta në Ukrainë nuk ka asnjë lidhje me Kosovën.

“Putini po shikon të shkaktojë konflikte etnike, siç bënte Serbia në Kosovë. Ka një plan serioz se si të merret një pjesë e Ukrainës dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kosovën,” tha ai.

Sipas tij, në disa debate të mbyllura e të hapura është habitur se si mendojnë intelektualët e Serbisë, pasi që Serbia nuk është ballafaquar me të kaluarën.

Ndërkaq, raportuesja Sonja Biserka tha që krahasimi i Kosovës dhe Ukrainës nuk qëndron dhe se Putini me qëllim dhe dashakeqësi e keqpërdor rastin e Kosovës. 

“Serbia synon ndarjen e Kosovës. Putini e merr këtë lloj argumentimi për të akuzuar Perëndimin për shkelje të të drejtës ndërkombëtare në Kosovë”, shprehet Biserka.

Gazetari Idro Seferi i cili jeton dhe punon në Serbi theksoi se nuk ekziston një ide e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje për shkak të narrativave të ndryshme që kanë krijuar serbët për luftën në Kosovë.

“Për shumëkë në Serbi lufta filloi me 24 mars 1999. Kur është përvjetori i bombardimit të NATO-s, njerëzit në Serbi mendojnë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë kundër serbëve, se i vrisnin dhe gjithmonë ia dilnin. Rajoni ka humbur kontrollin në rrugën evropiane”, thotë Seferi.

Përveç këtyre aktiviteteve, në kuadër të festivalit u hap ekspozita “Të gjithë lotët tanë”, i cili u bën homazh viktimave të luftës në Jugosllavi, veçanërisht serbëve etnikë, shqiptarëve dhe maqedonasve. 

Në këtë ekspozitë të hapur në Endzio Hab, fotot të përcjellura me rrëfime paraqesin disa aspekte të luftërave në ish-Jugosllavi – fotografitë familjare të personave të zhdukur, skenat e krimit, varret masive dhe pasoja tjera të luftës.

Ekspozita ‘Të gjithë lotët tanë’ në Beograd, 2022. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Ndërsa, këngëtari Shpat Deda dhe grupi i tij Visar dhe Tomor Kuçi, në Qendrën Kulturore Hebraike “Oneg Shabat”, para një audiencë të gjerë këndoi këngët e tij më të vjetra dhe disa të albumit të ri nën melodinë  e instrumentistëve. Ndërsa festivali përfundoi me aktivitetin e përbashkët nën ritimin e muzikës së DJ Genc Elezaj.

Me gjithë këto aktivitete brenda Beogradit, krahas gjendjes politike, aktivistët dhe artistët nga të dy vendet edhe një herë u munduan të gjejnë një gjuhë të përbashkët që nëse nuk arrihet përmes politikës,  të vendosin paqe në rajon përmes artit dhe kulturës.