RLIOF 2023
‘Opera për Liri’, edicioni i tretë i RLIOF sjell yje të skenës operistike në Prishtinë
Me temën ‘Opera për Liri’ festivali Ramë Lahaj International Opera Festival (RLIOF), këtë edicion synon që duke përdorur artin operistik si mjet fuqizues, t’i inspirojë vizitorët që të bëjnë vepra drejt një bote të barabartë.
Edicioni i cili do mbahet nga data 21-31 korrrik në Prishtinë do të trajtojë edhe çështjet si konfliktet ekzistuese, pabarazia gjinore, të drejtat e refugjatëve dhe të drejtat mjedisore.
Sipas njoftimit nga ana e festivalit, koncertet e edicionit të këtij festivali do të mbahen në sheshin “Skënderbeu” dhe amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, ku përpos ditëve të festivalit do ketë edhe aktivitete tjera.
Gala mbrëmja “Ramë Lahaj & Friends” mbahet të dielën e 23 korrikut, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me fillim në orën 20:30 nën dirigjimin e Pier Giorgio Morandi, shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës.
Kjo gala nis rrugëtimin e pesë netve muzikore të festivalit: ‘Ensemble Evening’ më 25 Korrik, ‘Opera Night’ më 27 Korrik, ‘New Generation’ më 29 Korrik dhe ‘Nexhmije Pagarusha’ më 31 Korrik.
Krahas temës së veçantë të këtij edicioni, RLIOF-it do t’i bashkohen yje të skenës operistike si: soprano e njohur Yulia Suleimanova, tenori Alessandro Safina e baritoni Massimo Cavalleti dhe maestro Francisco Araiza, pedagog zëri, i cili do të mbajë masterklasë me talentët e rinj kosovarë.
Në një deklarim të Zyrës për Media të festivalit bëhet e ditur se këtë vit çdo gjë do jetë e ekskluzive.
“Krahas performancave, nën ombrellën e festivalit do të hapet edhe një ekspozitë që eksploron temën e natyrës, ndërlidhjes njerëzore me mjedisin dhe implikimet morale e etike në degradimin e ambientit. Ekspozita titullohet ‘Rrnofsh sa Malet’ dhe do të jetë e hapur nga 22 deri më 31 Korrik në Galerinë e Fakultetit të Arteve”- thuhet në deklarim.
Çmimi i biletave për festival varion nga 5 deri në 15 euro.
“Festivali Ndërkombëtar i Operës Ramë Lahaj” është ngjarje 10-ditore që synon të pasurojë jetën kulturore të Kosovës dhe të promovojë vendin në skenën ndërkombëtare.
I emëruar sipas Ramë Lahajt, tenorit të famshëm kosovar, ky festival filloi për herë të parë në vitin 2021, me qëllim që të prezantojë muzikën klasike dhe ta bëjë më të qasshme tek kosovarët, për të nxjerrë në pah poezinë dhe bukurinë e operës.