Shfaqje nga Opera e Kosovës: Foto: OK.

Gjysmë shekulli pas krijimit, 'Goca e Kaçanikut' inskenohet nga Opera e Kosovës

Në vigjilje të festës kombëtare të 28 Nëntorit, Opera e Kosovës planifikon të shfaq premierën e operës “Goca e Kaçanikut” të Rauf Dhomit.

Përgatitjet për realizimin e kësaj shfaqje operistike kanë nisur me kohë dhe Opera e Kosovës, përmes konkurseve publike ka bërë përzgjedhjen e stafit artistik që do të jetë pjesë e kësaj shfaqje.

E krijuar gjysmë shekulli më parë opera “Goca e Kaçanikut”, për herë të parë inskenohet në Kosovë.

Opera “Goca e Kaçanikut” është opera e parë e krijuar në Kosovë.

Shfaqja “Goca e Kaçanikut” vjen gati një vit pas shfaqjes operistike “La Traviata” që u shfaq vitin e kaluar (2022) e realizuar nga Opera e Kosovës.

Institucioni i Operës së Kosovës është themeluar nga Kuvendi i Kosovës në gusht 2021.

Meriton Ferizi. Foto: MF

Meriton Ferizi, zëvendësuese i drejtorit të Operës së Kosovës tha për KALLXO.com se premiera e shfaqjes operistike “Goca e Kaçanikut” do të jepet më 24 nëntor, ndërsa repriza më 25 nëntor 2023, në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Ai ka thënë se paraprakisht, më 23 nëntor (2023) nxënësve të shkollave fillore dhe të muzikës e studentëve do t`u mundësohet përcjella e provave gjenerale të kësaj shfaqje.

“Më datën 23 nëntor (prova gjenerale do të shfrytëzohet për nxënësit e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme të muzikës në Kosovë, dhe studentët e fakulteteve publike dhe private të muzikës) që të shohin dhe përjetojnë drejtpërdrejt operën e parë kosovare, jo vetëm si histori në libër pas 52 vitesh krijimi, ndërsa premiera më 24 nëntor dhe repriza 25 nëntor, në kuadër të festës së Flamurit, me mundësi udhëtimi edhe në Maqedoni dhe Shqipëri, pasi që është vepër kombëtare”- ka thënë ai.

Për realizmin e kësaj shfaqje, Opera e Kosovës ka planifikuar 250,000 euro.

Ferizi ka thënë se regjinë shfaqjes po e bën Nikolin Gurakuqi, ndërsa roli i Pafikës i është besuar sopranos Adelina Paloja.

“Regjisor do të jetë Nikolin Gurakuqi, skenografia Petrit Bakalli, ndërsa Roli i Pafikës do të interpretohet nga soprano Adelina Paloja, shumica e roleve tjera janë përzgjedhur nga audicioni i mbajtur për solistë dhe preite që brenda një jave të caktohet edhe artistët që do të interpretojnë e Trimorit dhe Plakut”- ka thënë ai.

Po ashtu, Ferizi ka thënë se deri më tani janë mbajtur 2 audicione për kor, orkestër dhe solistë për këtë shfaqje, ku shumica janë përzgjedhur dhe disa do të ftohen nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Sipas tij, për realizimin e operës “Goca e Kaçanikut”, Opera do të bashkëpunojë edhe me Filharmoninë e Kosovës,  Baletin Kombëtar dhe Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë.

“Do të kemi me disa instrumentistë te Filharmonisë se Kosovës dhe me disa balerinë nga Baleti Kombëtar, si dhe nga TKOB”- ka thënë Ferizi.

Ferizai ka thënë se përveç kësaj shfaqje, Opera e Kosovës do të ketë deri në dhjetor koncerte në kuadër të programit “Arti në shkolla” në gjithë Kosovën me korin e fëmijëve “Okarina”, ku do të mabhen koncerte korale e fragmente nga operat më të njohura botërore dhe kombëtare, siç ka thënë ai, me ngapak regji, kostume, etj.

Sfida e objektit

Në mungesë të një salle adekuate për shfaqjen e operave, “Goca e Kaçanikut” do planifikohet të shfaqet në sallën e sporteve “1 Tetori”. Drejtori Ferizi ka thënë se realizmi i një shfaqje operistike të përmasave sikurse “Goca e Kaçanikut”, në salla të improvizuara sikurse Salla “1 Tetori”, kalon nëpër sfida të ndryshme.

“Është shumë e vështirë të inskenohet dhe përgatitet një shfaqje operistke nëpër sallat tjera alternative, për shkak të nevojës për rezervim të sallës për 10 ditë, po sjell probleme dhe mospajtime me sportistët dhe manifestimet tradicionale që mbahen, në ditët dhe muajt e ndryshëm”.

Salla “1 Tetori”, sipas Ferizit është më e përshtatshme për momentin, si lokacion dhe infrastrukturën, por edhe Pallati i Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë për inskenimin e një shfaqje opere.

Projekti për ndërtimin e objektit të Operës së Kosovës është në procedurë tek niveli i përzgjedhjes së projektit ideor.

Opera ‘Goca e Kaçanikut’

“Goca e Kaçanikut”, operë në dy akte dhe tri tablo, është opera e parë kosovare, e kompozuar nga akademik Rauf Dhomi me libret Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi. Vepra shpalosë luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës.

E krijuar gjysmë shekulli më parë opera “Goca e Kaçanikut”, për herë të parë inskenohet në Kosovë. Por, në Shqipëri kjo vepër është inskenuar në vitin 1979 në TKOB-së në Tiranë.

Akademik Dhomi është një prej kompozitorëve më të njohur në Kosovë. Ai është autori edhe i operave, “Dasma arbëreshe”, “Muzat e Kalasë”, baleti “E bukura More” e shumë vepra tjera muzikore vokalo-instrumentale, korale, orkestrale, etj. e muzikë për filma e shfaqjet teatrale.