Shfaqje nga Opera e Kosovës: Foto: OK.

Ferizi: Opera ‘Goca e Kaçanikut’ shfaqet në shkurt të vitit 2024

Premiera e shfaqjes operistike “Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit është planifikuar të shfaqet më 22 dhe 24 shkurt të 2024-ës, në Sallën e Sportit  “1 Tetori” në Prishtinë.

Shfaqja e kësaj opere ishte planifikuar të jepet në vigjilje të festës së 28 nëntorit të këtij viti në Sallën “1 Tetori”, por u shty për shkak se kjo sallë ishe në renovim proces të renovimit.

Meriton Ferizi, zëvendësdrejtor i Operës së Kosovës tha për KALLXO.com, se Opera “Goca e Kaçanikut” do të shfaqet më 22 dhe 24 shkurt 2024, si aktivitet qendror për pavarësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se dhënia e kësaj shfaqje është planifikuar të jepet përsëri tek Salla e Sportit “1 Tetori” në Prishtinë.

Sipas tij arsyeja e mosdhënies së shfaqjes siç ishte planifikuar më 25 nëntor ka të bëjë me arsye teknike.

“Arsyeja e shtyrjes së kësaj dhënies së opere, ishte më shumë teknike për shkak të futjes në renovim të Sallës ‘1 Tetori’, nga fakti që Kosova e fitoi të drejtën e mbajtjes së lojërave mesdhetare dhe tanimë e kanë obligim të investojnë në infrastrukturë, për krijimin e standardeve evropiane”- ka thënë ai.

Ferizi thotë se mos pasja e sallave adekuate për realizmin e shfaqjeve të operave krijon kokëçarje për Operën e Kosovës.

“Gjithmonë është sfiduese të lëvizësh nëpër objektet tjera jo adekuate apo të përshtatshme si për stafin organizativ të mangët, ashtu edhe për atë teknik dhe artistik, transporti, koha e limituar e lejuar nëpër objektet shfrytëzuese, pasi që në ato salla ka edhe aktivitete të tjera të përditshme dhe kështu shkaktohen mospajtime, tensione, nervozë dhe improvizime”- thotë Ferizi.

Opera “Goca e Kaçanikut” është krijuar gjysmë shekulli më parë dhe për herë të parë inskenohet në Kosovë.

Opera “Goca e Kaçanikut”, përbëhet prej dy akteve dhe tri tablove, është opera e parë kosovare, e kompozuar nga akademik Rauf Dhomi me libreto nga Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi.

Vepra shpalosë luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës.

Opera “Goca e Kaçanikut” është inskenuar në viti 1979  në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.

Gjysmë shekulli pas krijimit, ‘Goca e Kaçanikut’ inskenohet nga Opera e Kosovës