Konferenca për Festivali e Këngës në RTK. Foto: KALLXO.com.

Krasta: Festivalit i Këngës është një moment historik për jetën kulturore të Kosovës

Edicioni i parë i Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) do të mbahet më 26, 27 dhe 28 tetor 2023, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Detajet nga organizimi i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK janë shpalosur dje në një konferencë për media nga udhëheqësit dhe moderatorët e këtij festivali.

Gjatë kësaj konference u tha se fillimi i këtij festivali do të jetë një moment historik për jetën kulturore të Kosovës.

Drejtori i festivali, Adi Krasta, tha gjatë konferencës se organizimi i festivalit është përshëndetur edhe nga “Eurosong” dhe European Broadcasting Union (EBU).  Krasta ka thënë se jetës kulturore kosovare i duhet një festival i tillë e që të ketë vazhdimësi.

“Dua që ky festivali të zgjas dhe ta shohin edhe fëmijët që s’kanë lindur akoma, që në çdo fund të tetorit të jetë një gëzim i qytetit dhe që t’i takojë jetës kulturore të Kosovës” – tha Krasta.

Ndërsa sa i takon garës, Krasta ka thënë se për këtë edicion nuk është në fokus, pasi siç tha ai nuk ka gjasa që kënga fituese të prezantohet në edicionin e ardhshëm të “Eurovizionit”.

“Kënga fitues e këtij festivali do do të marr një kupë të cilën e ka dizajnuar një dizajner i Prishtinë, që është një punim që në të folmen tonë quhet ‘diamanti blu’ e që praktikisht është Kosova dhe do të jetë mbi një bazë shumë të bukur të artë, një Kosovë që shkëlqen. Fituesi, ndryshme nga shumë festivale të tjera në momentet e fundit do të marrë një dhuratë të konsiderueshme, që është, me sa jam i informuar një medaljon, një shqiponjë e flamurit të shqiptarëve që ka 500 diamante”- ka thënë Krasta.

Drejtori artistik, Florent Boshnjaku, tha se është bërë punë e mirë për realizmin e këtij festivali.

“Janë 18 këngë garuese, unë nuk kisha pasur qef me i quajtë si këngë garuese, sepse duam që këtë vit  të kemi një festë dhe ta festojmë një moment të cilin e kemi pritë shumë gjatë. Gjithashtu shpresoj që ky festival të jetë një shtysë që Prishtina të ketë një sallë për mbajtje të festivaleve të tilla” – tha Boshnjaku.

Përmes lidhjes online, Anjeza Shahini, tha se ndihet e nderuar që do të jetë pjesë e këtij festivali.

“Ndihem e nderuar që jam pjesë e e këtij festivali me rëndësi historike, por edhe një ndër që do të punoj me një staf çfarë u prezantua”- ka thënë Shahini.

Ndërsa prezantuesja tjetër e festivalit, Edona Reshataj, ka thënë se ky festival do të duhet të organizohej shumë më herët.

“Më rëndësi është që po fillon, e është një ndjenjë e veçantë pasi festivalet e para mbeten përpjekjet më të rëndësishme dhe më të guximshme të krijimeve të një vendi”- tha ajo.

Kurse, Besim Dina me tone humori tha se ky festival do të dëshmojë për bashkëpunimin e krijuesve andej dhe këndej kufirit.

“Me Adri Krastën kemi me i demantu zërat e këqinj se shqiptari i Kosovës me shqiptarin e Shqipërisë nuk mund të bashkëpunojnë”- ka thënë ai.

Juria e Festivalit të këngës në RTK do të jetë në përbërje të: Alma Bektashit, Alban Nimanit, Adrian Hilës, Zake Prelvukajt dhe Ulja Sjostrom nga Suedia.

Festivali i parë i Këngës në RTK do të moderohet nga Besim Dina, Edona Reshitaj, Edona Kasapolli dhe Anjeza Shahini.

Edicioni i parë i Festivalit të Këngës do të realizohet në Prishtinë, në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë dhe do të transmetohet live në Radio Kosovë dhe në Televizionin e Kosovës.

Publikohen këngët pjesëmarrëse në Festivalin e Këngës në RTK