Pamje nga kompleksi ‘Adem Jashari’. Foto: KALLXO.com.

Milionat e investuara nuk e përmirësojnë gjendjen në Kompleksin ‘Adem Jashari’

Rreth 11 milionë euro janë investuar deri më sot në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK).

Megjithatë, gjendja e këtij kompleksi vazhdon të jetë e keqe, pavarësisht investimeve të bëra në 20 vjetët e fundit.

Ndërkaq, një restaurim tjetër ka nisur në janar të këtij viti, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Por, ky restaurim në vlerë prej  45,247 eurove, përfshinë vetëm shtëpinë e Hamit dhe Salë Jasharit që gjendet në këtë kompleks.

Milionat e investuar ndër vite 

Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se deri më sot në kompleksin “Adem Jashari” janë investuar mbi 11  milionë euro, duke përfshirë edhe investime në infrastrukturën e kompleksit.

Sipas tij, në kompleks është bërë një renovim menjëherë pas luftës, por, ka thënë ai, AMKMK nuk ka informacione se nga kush është bërë renovimi dhe sa ka kushtuar.

Në 2011, ka thënë Zogaj  është bërë një intervenim emergjent nga MMPH, në vlerë prej 20 mijë eurove.

“Deri më tani janë investuar rreth 11,000,000 euro duke përfshirë të gjitha investimet në këtë Kompleks nga MMPH dhe AMKMK”, ka thënë drejtori Zogaj.

Aktualisht, brenda Kompleksit Memorial “Adem Jashari është duke u bërë renovimi i shtëpisë së Hamit dhe Salë Jasharit, sipas rekomandimit të komisionit të ekspertëve. Për këtë restaurim MKRS ka ndarë 45, 247 euro.

Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të MKRS-së, ka thënë për KALLXO.com se renovimi në këtë objekt është në fazën e përmbylljes dhe të pranimit teknik.

Rekomandimet e ekspertëve

Në shtator të 2021, Komitetit Ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, miratoi një raport të ekspertëve të propozuar nga ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, lidhur me ndërhyrjet emergjent.

Sipas këtij raporti, ndërhyrjet emergjente duhet të bëhen në objektin shtëpinë nr. 4 dhe 5 të kompleksit.

Ndërkaq, komisioni i ekspertëve, i përbërë nga ekspertë të huaj dhe vendorë, sipas MKRS-së është duke hartuar projekti final për restaurim- konservimin e kompleksit “Adem Jashari”.

“Komisioni i ekspertëve ka filluar punën nga mesi i muajit janar dhe gjatë këtij muaji presim propozimin e planit të punës dhe afateve. Komisioni i ekspertëve do të përgatis detyrën projektuese për shpalljen e konkursit për hartim të projektit për konservim dhe restaurim”, ka thënë këshilltarja e ministrit të Kulturës, Zana Fetiu.

 

Pamje nga kompleksi ‘Adem Jashari’. Foto: KALLXO.com.