Mbyllet në Shkup manifestimi tradicional ‘Ditët e Alfabetit’
Me mbajtjen e konferencës shkencore “Një komb – një gjuhë” dhe ekspozitës “Nga alfabeti në drejtshkrim” është mbyllur sot manifestimi kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit”.
Aktivitetet për shënimin e kësaj dite kanë nisur më 14 nëntor dhe janë organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Gjatë këtij edicioni të “Ditëve të Alfabetit” janë mbajtur një sërë aktivitetesh, ndërsa tema qendrore ishte “Studimet albanologjike në gjuhën gjermane”.
“Dita e Alfabetit Shqip”, 22 nëntori, është festë zyrtare për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Manifestimi “Ditët e Alfabetit” shënohet për të kujtuar vendimet e Kongresit të Manastirit më 1908, kur u vendos për alfabetin e gjuhës shqipe.
Kongresi i Manastirit u mbajt nga 14 deri më 22 nëntorit të vitit 1908, në Manastir. Në kongres morën pjesë 50 delegatë nga qytete, klube e shoqata që mblidhnin shqiptarë nga vende të ndryshme të botës.
Në këtë kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime. Po ashtu kongresi lejoi përdorimin e alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë, si alfabetin e sotëm që u propozua nga Shoqëria “Bashkimi” e Shkodrës. Brenda pak vitesh, për shkak edhe të lehtësirave në përdorim alfabeti i Shoqërisë “Bashkimi” fitoi përdorim të gjerë duke u bërë alfabeti i vetëm i shqipes.