Komuna vendos që skulptura e Ramiz Cernices të bëhet pa plis, reagojnë familja

Familja e Ramiz Cernicës, njërit nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare të pasluftës së dytë botërore iu është drejtuar me kërkesë institucioneve të vendit.

Ata po kërkojnë që skulptura e familjarit të tyre të mos bëhet ashtu sic kanë planifikuaar Drejtoria e Kutlurës nga Komuna e Gjilanit, pa plis.

Ramiz Cernica ka qenë deputet në Kuvendin e Prizrenit, duke përfaqësuar rajonin e Gjilanit dhe në fotografitë e pakta të tij që ekzistojnë, Ramiz Cernica ka qenë pothuajse gjithmonë me plis.

Në letrën drejtuar kryeministrit Albin Kurti, ministrit Hajrulla Çeku, kryetarit Alban Hyseni, familja po pretendon se komisioni vlerësuar ka vendosur që skulptura e Ramiz Cernicës të bëhet pa plisin e bardhë.

“Komisioni në mënyrë unanime ka vendosur për ndryshime minore artistike të domosdoshme: T’i hiqet plisi dhe t’i shtohet eleganca, etj; T’i shtohet foltorja si aksesor” –  thuhet në vendimin e komisionit vlerësues të konkursit për skulpturën monumentale të Tribunit Ramiz Cernica.

Komisioni vlerësues përbëhet nga Ismet Sylejmani, Enkelejda Arifi, Adem Rusinovci, Lindita Mehmeti dhe Ragip Ramadani.

Vendimi është marrë më 27 qershor.

Drejtori i Kulturës në Gjilan, Kushtrim Zeqiri tha për KALLXO.com se ky komision është i përbërë nga një zyrtar i Drejtorisë së Kulturës, tre skulptorë profesionalë dhe një anëtar i familjes së Ramiz Cernicës.

Me këtë vendim të komisionit, është shprehur e pakënaqur avokatja që përfaqëson familjen e Ramiz Cernicës, Vahide Braha, e cila ka kërkuar anulimin e tij dhe mbrojtjen e vlerave etno-kulturore.

Braha e ka dërguar këtë kërkesë më 26 korrik në adresë të Komunës së Gjilanit, Ministrisë së Kulturës dhe Zyrës së Kryeministrit.

Sipas avokates, largimi i plisit nga monumenti i Ramiz Cernicës, është në kundërshtim me karakterin e figurës historike, qëndrimet e tij personale dhe mënyrën e të jetuarit të tij.

“Ramiz Cernica, plisin e ka mbajtë në çdo kohë, me shumë krenari dhe e ka konsideruar si një gjë shumë të shtrenjtë për të. Jo vetëm si veshje kombëtare, përfaqësuese e kohës, por edhe si shenjë e rezistencës dhe qëndresës përballë okupatorit” – ka shkruar ajo në kërkesën e saj.

Kërkesën e saj, ajo e ka bazuar në siç thotë ajo, shkeljen e rëndë të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, sipas të cilit, monomumentet arkitekturale ruhen në të gjitha elementet e tyre përbërëse, me tiparet që e karakterizojnë atë figurë historike, që nënkupton procesin e hulumtimit, studimit, dokumentimit real fizik si identitet të tij.

Drejtori i Kulturës në Gjilan, Kushtrim Zeqiri në përgjigjen e tij ndaj kësaj kërkese, ndonëse thotë se në përgjithësi pajtohet me rekomandimet e saj që të ruhen vlerat kulturore siç është plisi në figurën e Ramiz Cernicës, shton se kjo nuk ka të bëjë me kurrfarë shkelje ligjore.

Kjo pasi siç thotë ai, skulptura ende nuk ekziston dhe është në proces e sipër, dhe sipas tij nuk mund të ruajnë diçka që nuk e kanë realizuar ende.

“Ky paragraf cek shumë qartë Monumentet Arkitekturale, që nënkupton objekte arkitektonike fizike, e në rastin tonë kemi të bëjmë me një skulpturë monumentale figurative (vepër artistike), pra nuk jemi duke ndërhyrë në një figurë materiale ekzistente për të ia hequr plisin, gjë që pajtohem se do të ishte shkelje ligjore, por jemi në proces të realizimit të një figure” – thotë Zeqiri për KALLXO.com.

Ndryshime të tilla në veprat historike, avokatja Braha ka thënë që sjellin në deformim, tendencë inferioriteti dhe tentativë për t’u shkëputur nga historia, duke lënë kështu hapësira për shkëputje, të cilat siç thotë avokatja, armiqtë i kanë shfrytëzuar ndër shekuj.

“Edhe pse nuk kemi dyshime në qëllimet e mira të komisionit komunal, ne kërkojmë që ai vendim të anulohet, sepse nuk mund të paraqesim figurat historike me veshjet apo elegancën moderne, por vetëm me pasqyrimin e kohës në të cilën ata kanë jetuar, prandaj është e rrugës që të rishikohet ky vlerësim profesional dhe sidomos pjesa e elegancës” – thuhet tutje në kërkesë.

Më tutje, ajo thotë se nuk sheh arsye që të falsifikohet historia, të mitizohet as të krijohet një përshtypje e gabuar në lidhje me veprimtarinë e Ramiz Cernicës.

Vahide Braha ka bërë edhe një krahasim me figurën e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, duke thënë se për elegancë edhe ai “mund të paraqitej si dijetar, me penë duke derdhur dijet e botës në pëlhurë”, por ai njihej si luftëtar e strateg, e jo si dijetar, prandaj sipas asaj, prandaj çfarëdo monumenti të tillë do t’i humbte kuptimi origjinal.

“Thirrja për monumentin e Ramiz Cernicës nuk bazohet në artin modern, pasarelat e Parisit e Milanos, por në qëndresën heroike të figurave kombëtare të shekullit të XX-të, e të cilat me vetëdije mbanin plisin e bardhë, si shenjë identifikuese etnike e si shenjë rezistence e qëndrese. Dhe ky plis përbën një element të rëndësishëm në identitetin shqiptar, e sidomos për kohën e jetës dhe veprimtarisë së Ramiz Cernicës” – ka përfunduar ajo në kërkesë.

Drejtori i Kulturës, Zeqiri ka treguar se DKRS ka udhëhequr procedurat me thirrje publike për realizimin e shtatores së Ramiz Cernicës dhe se aktualisht janë duke e pritur mbledhjen e Kuvendit Komunal për të ndarë mjetet financiare për realizimin e kësaj figure të rëndësishme historike.

Gurthemeli i këtij monumenti ishte vënë më 25 nëntor 2022, me organizimin e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni.

Ramiz Cernica ka qenë deputet në Kuvendin e Prizrenit. Ai vdiq më 1979, në ditën kur mbushi 76 vjet.

 

Vendimi i Komunës së Gjilanit për skulpturën e Ramiz Cernicës