array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Rrena se Bedri Hamza i kërkoi ndihmë ish-presidentes Jahjaga për “ta mundur” Albin Kurtin e Vjosa Osmanin

Deklarata

Bedri Hamza takon Atifete Jahjagën dhe i kërkon ndihmë për ta mundur Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Rrenë

Përshkrimi i videos se ish-presidentes Atifete Jahjaga dhe kryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza: “Bedri Hamza takon Atifete Jahjagën dhe i kërkon ndihmë për ta mundur Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin” është i rremë. Fotografia e publikuar nga faqja Informata” është realizuar dhe publikuar në vitin 2021, në kohën kur Bedri Hamza nuk ka qenë kandidat për kryeministër të Kosovës. Takimi i vitit 2021 ishte realizuar pakë javë pasi Bedri Hamza kishte marrë detyrën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut. Edhe Bedri Hamza e edhe Atifete Jahjaga kanë thënë se nuk janë takuar për të folur për zgjedhjet e ardhshme.

Artikulli

Më 14.04.2024 faqja në facebook “Informata(Arkiva) ka publikuar një video në të cilën është një fotografi e ish-presidentes Atifete Jahjaga dhe kryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.

Në këtë video është vendosur mbishkrimi Bedri Hamza takon Atifete Jahjagën dhe i kërkon ndihmë për ta mundur Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin”.

Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka kërkuar një përgjigje nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga, përmes Fondacionit Jahjaga që ajo e drejton.

Në një përgjigje me shkrim, Fondacioni Jahjaga ka thënë se fotografia është realizuar në vitin 2021.

“Po fotografia në fjalë është publike, daton në vitin 2021 dhe mund të gjendet në këtë link: Foto Presidentja Jahjaga dhe Bedri Hamza – Mitrovice 2021. Besojmë se këto të dhëna i përgjigjen të gjitha pyetjeve tuaja dhe indikatorëve të vërtetësisë së një lajmi” – thuhet në përgjigjen e ‘Fondacionit Jahjaga’, më 29.04.2024.

Krypometër e ka gjetur fotografinë e publikuar në Facebook nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga, më 17.12.2021 (Arkiva).

“Një kafe miqësore me kryetarin e ri të komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamzën. I urova për detyrën dhe i dëshirova punë të mbarë e të palodhëshme në të mirë të qytetarëve të Mitrovicës”- kishte shkruar Jahjaga në postimin e saj.

Në vitin 2021, Bedri Hamza nuk ishte kandidat për kryeministër të Kosovës. Në kohën e këtij takimi, Hamza e kishte pranuar detyrën e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, pasi kishte fituar 54.6% të votave në zgjedhjet e mbajtura më 17.10.2021.

Krypometër ka kontaktuar edhe me Bedri Hamzën, i cili ka thënë se përshkrimi i kësaj fotografie është i rremë.

Është lajm i rrejshëm. Unë me ish-presidenten jam taku për me diskutu për aktivitetet e saja që i ka në kuadër të “Fondacionit Jahjaga’. Fotografia nuk është e vitit 2024, s’ka ndodhë takim mes meje edhe zonjës Jahjaga në 2024. Ajo ka pasë postim në Facebook për këtë ngjarje, unë nuk kam postu asgjë për këtë dhe sigurisht ka qenë në vitin 2022 a 2023, saktë s’më kujtohet”- ka thënë Hamza.

27.03.2024, Partia Demokratike e Kosovës e ka prezantuar si kandidat për kryeministër, Bedri Hamzën.

Atifete Jahjaga ishte presidentja e parë grua në rajon. Ajo qëndroi për një mandat në krye të vendit, nga vitit 2011 deri në vitin 2016.