array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=7"
  }
}

Ilustrim

Herë n’atë enjte e herë n’këtë enjte: Zvarritja e miratimit të Kodit Civil

Deklarata

Albulena Haxhiu (29.04.2022 video-min 02:29): Shumë shpejt do ta procedojmë në Kuvend draftin e ri të Kodit Civil.

Albulena Haxhiu (26.10.2022, video-min: 07:00): Kodi Civil së shpejti dërgohet në Kuvend.

Programi Legjislativ për vitin 2023: Afati për t’u miratuar Kodi Civil, 30 qershor 2023.

Albin Kurti (10.06.2023 video-min 24:31): Do bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në parlament.

Albulena Haxhiu (23.08.2023, video-min 03:52): Planifikojmë që brenda këtij viti të procedojmë Kodin Civil.

Albulena Haxhiu (13.09.2023, video-min 02:06): Kam thënë që brenda këtij viti do të procedohet Kodi Civil.

Mimoza Kusari – Lila (27.12.2023, video- min 24:48): Viti i ardhshëm është viti final dhe besoj që në vitin e ardhshëm ta miratojmë në dy lexime.

Qeveria Kurti

Vlerësimi

Hetimet vazhdojnë

Premtimi qeveritar i dhënë nëpërmjet ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se Projektkodi Civil do të procedohet në Kuvendin e Kosovës brenda vitit 2023 është i rremë. Projektkodi Civil nuk është proceduar në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2023. Këtë e ka konfirmuar edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se viti 2024 është viti final, dhe se në vitin e ardhshëm ky projektkod do të miratohet në dy lexime.

Artikulli

16 mars të vitit 2022, Projektkodi Civil nuk e mori mbështetjen në parim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Mospajtime dhe debate të ashpra përcollën leximin e parë, përderisa të gjitha kritikat lidheshin me nenin 1138 që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Seanca e rregullta të Kuvendit zakonisht zhvillohen çdo të enjte, mirëpo në asnjë të enjte të vitit 2023, project-kodi nuk u dërgua para ligjvënësve apo edhe në Qeveri.

Ndonëse ka pasur prioritet në listën e projektligjeve që Ministria e Drejtësisë pati vendosur si synim t’i miratojë në vitin 2023, Kodi Civil nuk është miratuar ende, as në Qeveri e as nuk është dërguar në Parlament për të marrë mbështetjen e ligjvënësve.

Një muaj pas dështimit për t’u miratuar, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati premtuar se Kodi Civil shumë shpejt do të procedohej në Kuvend.

“Ne si Ministri e Drejtësisë shumë shpejt planifikojmë që draftin e Kodit Civil që është një dokument shumë i rëndësishëm për Kosovën, ta procedojmë në Kuvendin e Kosovës” – ishte shprehur Haxhiu në një konferencë të përbashkët (video-min 02:29) me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, më 29 prill 2022.

Premtimin se “së shpejti” projekodi të dërgohej në Kuvend, e kishte ripërsëritur edhe një herë ministrja Haxhiu në tetor të vitit 2022. 

“Besoj që shumë shpejtë do ta procedojmë në Kuvendin e Kosovës dhe kësaj radhe Kodi Civil do të kalojë në Kuvend sepse është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm. Kemi pasë takime me grupin parlamentar, me deputetë të grupit parlamentar, qeveria jonë si dhe grupi parlamentar angazhohet për avancimin e të drejtave të njeriut dhe duke parë rëndësinë që ka Kodi Civil dhe se trajton shumë çështje, besojmë që kësaj radhe do të miratohet në Kuvend” – kishte thënë ministrja Haxhiu në konferencë për media.

Në fillim të vitit 2023,  më një intervistë për RTV Dukagjini, e para e MD-së, Albulena Haxhiu, tha se janë duke punuar për të marrë mbështetjen e deputetëve.

“Ministria e Drejtësisë tashmë është në fazat e diskutimeve me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mënyrë që ta marrim mbështetjen e atyre në kohën kur Kodi Civil do të procedohet në Kuvend. Më lejoni që të ju njoftoj që ne nuk jemi tërhequr nga propozimi që kemi pasur në draftin e Kodit Civil, pavarësisht që i njëjti nuk është mbështetur nga Kuvendi i Kosovës” – kishte deklaruar Haxhiu më 28 janar 2023 (10:04).

1 shkurt 2023, në faqen e Zyrës së Kryeministrit u publikua programi legjislativ i Qeverisë Kurti për vitin 2023. Afati për t’u miratuar Kodi Civil parashihej të ishte më 30 qershor 2023. Mirëpo, projektkodi nuk u dërgua në Kuvend as sipas afatit të paraparë me programin legjislativ.

Më pas, më 19 prill 2023, ministrja Haxhiu para mediave ishte deklaruar se duhet të sigurohen që Kodi Civil kalon.

“Për këtë arsye kjo na ka marrë kohë sepse jemi në koordinim me deputetët e Grupit Parlamentar dhe natyrisht se kemi nevojë edhe për ndihmën e opozitës” – kishte deklaruar ajo (video 00:20).

Bashkë me personalitete të tjera politike, përfaqësues të organizatave civile, aktivistë për të drejtat e njeriut e qytetarë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 10 qershor 2023, kishte marshuar në rreshtin e parë në Paradën e Krenarisë në Prishtinë.

Ai premtoi se do të bëjë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksseshëm në parlament.

“Ne do të bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në parlament” – theksoi kryeministri Kurti.

“Iu kam premtuar aktivistëve dhe përfaqësuesve të organizatave që do të marr pjesë në marshin e sotëm, në Marshin e Krenarisë, sepse besoj në të drejtat e njeriut, besoj se duhet të jemi që të gjithë të barabartë dhe secili duhet të ketë të garantuar, të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin” – pati shtuar Kurti.

Disa muaj më vonë, më 23 gusht, pas mbledhjes së Qeverisë, ministrja Albulena Haxhiu kishte theksuar se Kodi Civil dhe ai i Procedurës Civile do të procedohen gjatë vitit 2023 në Kuvendin e Kosovës.

“Planifikojmë që brenda këtij viti t’i procedojmë edhe Kodin Civil edhe Kodin e Procedurës Civile. Dhe sigurisht mund të pyetem se pse deri tash nuk është proceduar, unë ju kam treguar edhe në konferenca për media të kaluara edhe komunikimet që bashkërisht që kemi pasur në kuadër të takimeve në Ministrinë e Drejtësisë që ne jemi duke punuar me deputetët e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që Kodi Civil të mos dështojë, pra të shkojë në Kuvend. Qëllimi ynë është që të mos dështojë. Prandaj edhe po sigurohemi që do ta kemi mbështetjen e deputetëve të Grupit Parlamentar, sikurse edhe deputetët e opozitës, sepse ky dokument prek interesat e qytetarëve, prandaj këtu ka obligim dhe përgjegjësi edhe opozita”- pati thënë Haxhiu (video-min 03:52).

Zotimin e njëjtë e përsëriti edhe rreth tre javë më pas, kur në shtator 2023 ritheksoi se Projektkodi do procedohej në Kuvend në vitin 2023.

“Unë kam thënë që brenda këtij viti do të procedohet Kodi Civil, konsideroj që është një dokument shumë i rëndësishëm dhe sidomos duke pasur parasysh që delegacioni nga Këshilli i Evropës do të vij në Kosovë gjatë këtij viti, është mirë që Kosova të dëshmoj si vend që është për avancimin e të drejtave të njeriut”- ishte shprehur ministrja (video- 02:06).

I ftuar në emisionin KallxoPerniem, më 18 shtator 2023, kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte deklaruar se Kodin Civil do ta kalojnë me partitë opozitare, pasi sipas tij pa opozitën nuk kalon. Ai i ka ftuar publikisht opozitarët që të bashkohen rreth kësaj nisme.

“Cili shtet ka mundur që me një parti politike ka mundur ta kaloj Kodin Civil. Ku e ka kalu veç një parti Kodin Civil në botë? Në secilën parti ka grupe që janë më konservativ kanë bindje religjioze thonë që ky kod e prish familjen, e shkatërron. Unë kam respekt për secilën bindje, por me thanë opozita kaloje ti vet Kodin Civil se unë po të kqyri ty t’u mos mujt me kalu” – ka thënë Konjufca.

“Ose do ta bëjmë bashkë ose kjo s’kalon. Publikisht them që pa votën e opozitës, Kodi Civil nuk do të kalojë në Kosovë” – shtoi kryetari i Kuvendit.

Edhe pse u premtua që deri në fund të vitit 2023, Kodi Civil do të dërgohej në Kuvend, kjo nuk ka ndodhur. Këtë e konfirmoi edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila. Ajo në konferencën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje që është mbajtur më 27 dhjetor 2023, tha se në vitin 2024, Kodi Civil do të miratohet në dy lexime.

“Ekziston bindja se është projektligj që duhet të ketë mbështetje më shumë se të pozitës, viti i ardhshëm është viti final dhe besoj që në vitin e ardhshëm ta miratojmë në dy lexime” – tha Kusari – Lila në konferencën e 27 dhjetorit 2023 (video- min 24:48).

Në seancën e 16 marsit të vitit 2022, Projektkodi Civil kishte dështuar të kalonte në Kuvendin e Kosovës. Me 28 vota për, 28 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e kishte miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.

Debatet dhe kundështimet ishin në lidhje me nenin 1138 të këtij Projektkodi. Sipas Projektkodit Civil, në kapitullin II, saktësisht neni 1138, thuhet se martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua.

“Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit të gjendjes civile”, thuhet në Projektkod.

Ndërkaq, për personat me sekse të njëjta thuhet se bashkësitë e regjistruara civile mes tyre janë të lejuara.

“Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë”, shpjegohet në Projektkod.

Kundër këtij Projektkodi ishin shprehur edhe institucionet fetare në Kosovë. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ipeshkëvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës më anë të një deklarate të përbashkët patën kundërshtuar nismën e institucioneve të vendit për shqytimin e Projektkodit Civil të Kosovës qe ka të bëjë me rregullimin e martesës mes personave të gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë.