Albulena Haxhiu dhe Tomáš Szunyog/ Foto: MD

Haxhiu: Shumë shpejtë do ta procedojmë në Kuvend draftin e Kodit Civil

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se shumë shpejtë do ta dërgojnë në Kuvend të Kosovës draft Kodin Civil, që kishte ngritur debat të madh para disa javëve. .

Këtë e ka thënë ministrja Haxhiu në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog.

“Ne si ministri e drejtësisë shumë shpejtë planifikojmë që draftin e Kodit Civil që është një dokument shumë i rëndësishëm për Kosovën, ta procedojmë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka njoftuar se bashkë me ambasadorin kanë mbajtur një takim me të gjithë aktorët e involvuar në procesin e draftimit të Kodit Civil.

“Para këtij adresimi, së bashku edhe me Ambasadorin, mbajtëm takim me të gjithë akterët që kanë qenë të involvuar në procesin e draftimit të Kodit Civil, të cilët shfrytëzoj rastin t’i falënderoj përsëri për angazhimin e vazhdueshëm dhe kontributin e lartë që e kanë dhënë gjatë tërë procesit”, tha Haxhiu.

Tutje, ajo u shpreh se dispozitat dhe normat që janë përpiluar në Kodin Civil janë të avancuara dhe në linjë me standardet që i kanë paraparë shtetet e BE-së.

“Rëndësia e kodifikimit të domenit civil ka rëndësi imanente për sistemin tonë të drejtësisë, andaj edhe e kemi trajtuar me prioritet qysh nga dita e parë e mandatit tonë. Është e vlefshme t’ju informoj se dispozitat dhe normat që janë përpiluar në Kodin Civil, janë tejet të avancuara dhe të harmonizuara plotësisht me linjën e standardeve më të fundit që i kanë paraparë shtetet e Bashkimit Evropian në fushën civile”, ka treguar ministrja.

Haxhiu ka theksuar se ndihma e zyrës së BE-së ka qenë faktor i rëndësisë së veçantë për ministrinë dhe ka falënderuar ambasadorin Szunyog.

“Ndihma shumëdimensionale e Zyrës së BE-së ka qenë faktor i rëndësisë së veçantë për institucionin tonë përgjatë secilës fazë të tërë procesit, për çfarë, edhe këtu para jush, dëshiroj ta falënderoj përzemërsisht Ambasadorin Szunyog”, ka thënë Haxhiu.

Ajo shtoi se bashkëpunimi i tyre do të vazhdojë edhe në shumë projekte e fusha të tjera.

Ambasadori Tomáš Szunyog ka thënë se tani më e kanë një draft për Kodin Civil për të cilin duhet të sigurohen se do të miratohet nga Kuvendi.

Tani ne kemi një draft por duhet të sigurohemi se ky draft do të miratohet nga Kuvendi. Do të jetë përgjegjësi e Qeverisë dhe e Kuvendit që të miratojnë kodin civil dhe të sigurojnë implementimin e tij”, tha ai.

Szunyog ka theksuar se ky projekt i cili ka zgjatur për 7 vjet, ka kaluar në 6 ministra të drejtësisë.

“Ky projekt i cili ka zgjatur për 7 vjet, ne diskutuam që ky projekt ka kaluar në 6 ministra të drejtësisë. Në fund të ditës kemi arritur të ofrojmë një draft që besojmë se është modern gjithëpërfshirës. Ky draft është zhvilluar me asistencë të BE”, ka njoftuar ai.

Më 16 mars, të këtij viti me 28 vota për, 28 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.

Në momentin kur po votohej Kodi Civil në Kuvend, prezent ishin 77 deputetë, mirëpo 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.

Një pjesë e deputetetëve nga PDK dhe LDK edhe pse ishin në sallë, nuk morën pjesë në votim, kurse pjesa më e madhe e deputetëtve të AAK-së ishin kundër Kodit Civil.

Në anën tjetër, disa nga deputetët e LVV-së votuan pro këtij Kodi kurse një pjesë e madhe ishte kundër. Kishte edhe disa prej tyre që abstenuan.

Deklarimet e kryeministrit dhe grupeve parlamentare për Kodin Civil

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe deputetët e Kuvendit kishin folur për Projektkodin Civil duke komentuar nenin 1,138 të këtij projektkodi që flet për bashkëjetesën mes personave të gjinisë së njëjtë.

Kryeministri Kurti kishte thënë ky nen ishte keqkuptuar dhe për të ka pasur keqinterpretime.

“Dua të theksoj që Kodi nuk rregullon martesat mes personave me seks të njëjtë, kjo dallon me bashkësinë e regjistruar civile ngase kjo e fundit mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo forma të funksionit familjar”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri për Projektkodin Civil ka thënë se pas Kushtetutës së Kosovës, është dokumenti më i rëndësishëm që votohet në Kuvend.

Ai i kishtebërë thirrje kryeministrit që të shkoj në Kuvend sepse sipas Tahirit për këtë projektkod ka pasur reagime të bashkësisë fetare lidhur me bashkësinë civile të personave me gjini të njëjtë.

“Ne si grup parlamentar i bëjmë thirrje le të vjen sepse pikërisht për këtë projektkod i kemi pasë edhe reagimet e bashkësive fetare në raport me nenin 1,138, paragrafi 2 për bashkësinë civile të personave me gjini të njëjtë që janë të lejuara”, pati deklaruar Tahiri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) dhe deputetët e grupit multietnik janë deklaruar kundër projekt Kodit Civil, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë kërkuar sqarime nga pozita lidhur me disa çështje të këtij projekt Kodi.

Kryetari i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se nga kjo parti në formën se si është Kodi Civil nuk do ta ketë mbështetjen.

“Sot në seancë kemi për trajtim me të vërtetë një projektligj të rëndësishëm. Atë të Kodit Civil i cili ndër tjera përbën 1630 nene dhe trajton tema të rëndësishme. Shiko sa deputetë të pushtetit i kemi në sallë, duhet me dit pse nuk janë këtu, a janë kundër Kodit Civil apo se keni ngrit çështje të cilat ata besojnë që nuk janë të drejta. Mendoj që është mirë qytetarit t’ia themi troç. Para tri jave jemi deklaruar kundër versionit të Kodit Civil. Ne mendojmë se në formën si është ky Kod Civil nuk e ka mbështetjen e AAK-së”, ka thënë ai.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se Kodi Civil përcakton të drejtën civile që nga lindja deri në vdekje dhe për LDK-në është dokumenti më i rëndësishëm pas kushtetutës së Kosovës.

“Ne e vlerësojmë përmbajtjen dhe sjelljen e këtij dokumenti. Por kemi interes të kuptojmë edhe qëndrimin e qartë të qeverisë për atë çështje që është diskutuar shumë në shoqëri. Duke u diskutuar vetëm për këtë çështje janë lanë anash shumë çështje tjera që rregullon kjo materie”, ka deklaruar Selmanaj

Selmanaj ka thënë se kërkojnë të dinë më qartë mendimin e Qeverisë lidhur më këtë pikë.

“Dua të kuptojë më qartë se cili është mendimi i qeverisë, nëse qëndrimi i qeverisë është ashtu sic është artikuluar me ligj që bashkësitë civile në Kosovë të njihen si kategori tash e tutje, a ka bërë punë qeveria e Kosovës të bëj punë të veçantë”, kishte thënë Selmanaj.

Deputeti Erxhan Galushi nga grupi multietnik, lidhur me bashkësinë civile të personave me gjini të njëjtë ishte shprehur se e jashtëzakonshmja nuk mund të jetë kurrë e zakonshme dhe se promovimi i të pa jashtëzakonshmes si diçka e zakonshme është fyerje ndaj shumicës së zakonshme.

“Si grup multietnik kurrë nuk mund të votojmë kundër vlerave familjare me të cilat jemi lindur”, ka thënë ai.

Prijësit fetarë kundër Kodit Civil

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ipeshkëvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës më anë të një deklarate të përbashkët patën kundërshtuar nismën e institucioneve të vendit për shqytimin e projektkodit civil të Kosovës qe ka të bëjë me rregullimin e martesës mes personave të gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë.

Bashkësitë fetare të Kosovës përmes një konference u përfaqësuan nga Naim Tërnava, myfti i Kosovës; Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës, Fehmi Cakolli, pastor i Kishës Protestante Ungjillore, Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës.

Në deklaratën e tyre thuhet se bashkësitë fetare kanë shprehur shqetësim për këtë nismë që ka marrë Qeveria e Kosovës.

Sipas tyre, me anë të këtij Projektligji dobësohen vlerat e familjes si dhe përkufizimi i martesës në Kosovë.

Tutje, në deklaratën e tyre potencohet se më këtë nismë cenohet fjala dhe vullneti i Zotit si dhe po preket fundamenti i përgjithshëm i shoqërisë.

Nuk kalon në Kuvend Projektkodi Civil