Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Foto: KALLXO.com

Albulena Haxhiu: Kodi Civil së shpejti dërgohet në Kuvend, besojmë që kësaj radhe do të miratohet

Projekt-kodi Civil, që kishte nxitur debat muaj më parë në Kosovë, pritet që së shpejti të procedohet në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Kështu ka thënë sot në një konferencë për media ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se kanë pasur takim me grupin parlamentar të Vetëvendosjes dhe besojnë që kësaj radhe Kodi Civil të miratohet në Kuvend.

“Kemi pasë takime me grupin parlamentar, me deputetë të grupit parlamentar, qeveria jonë si dhe grupi parlamentar angazhohet për avancimin e të drejtave të njeriut dhe duke parë rëndësinë që ka Kodi Civil dhe se trajton shumë çështje, besojmë që kësaj radhe do të miratohet në Kuvend” – tha Haxhiu në konferencë për media.

Projektkodi Civil nuk ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më 16 mars 2022.

Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch” (HRW) i kishte dërguar letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe deputetëve të Kuvendit, duke iu bërë thirrje që t’i japin fund përjashtimit nga martesa të çifteve të së njëjtës gjini.

Muaj më parë për KALLXO.com, MD kishte konfirmuar se ndryshime do të ketë në nenin 1138 të Projekt-kodit Civil i cili rregullon martesat.

“Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk përcakton afat për ri procedim në raste të tilla, megjithatë tashmë Projekt-kodi Civil është në fazën finale dhe posa të jetë finalizuar, do të ri-procedohet tutje për miratim. Ndryshimet përfshijnë nenin 1138 të Projekt-kodit Civil”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.

Ministria e Drejtësisë jep detaje për Projekt-kodin e ri Civil, ndryshime do ketë në nenin që rregullon martesat e gjinisë së njëjtë