Prijësit fetarë të Kosovës kundërshtojnë projektkodin për martesat mes personave të gjinisë së njëjtë
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ipeshkëvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës më anë të një deklarate të përbashkët kundërshtojnë nismën e institucioneve të vendit për shqytimin e projektkodit civil të Kosovës qe ka të bëjë me rregullimin e martesës mes personave të gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë.
Bashkësitë fetare të Kosovës përmes një konference u përfaqësuan nga Naim Tërnava, myfti i Kosovës; Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës, Fehmi Cakolli, pastor i Kishës Protestante Ungjillore, Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës.
Në deklaratën e tyre thuhet se bashkësitë fetare kanë shprehur shqetësim për këtë nismë që ka marrë Qeveria e Kosovës.
Sipas tyre, me anë të këtij Projektligji dobësohen vlerat e familjes si dhe përkufizimi i martesës në Kosovë.
Tutje, në deklaratën e tyre potencohet se më këtë nismë cenohet fjala dhe vullneti i Zotit si dhe po preket fundamenti i përgjithshëm i shoqërisë sonë.
Bashkësitë fetarë u bëjnë thirrje institucioneve të heqin dorë nga kjo nismë.
Më poshtë gjeni deklaratën e përbashkët të krerëve fetarë në Kosovë:
“Bashkësitë fetarë të Kosovës pas nismës për ndryshimin e kodit civil të Kosovës, pasi kanë shqyrtuar projektligjin në fjalë duke u bazuar në mësimet dhe predikimiet e mësimeve tona si dhe në kodin e vlerave të populklit tonë, jemi dakorduar që të shprehim qëndrimin dhe kundërshtimin tonë
Bashkësia Islame e Kosovës Dioqeza Prizren Prishtinë, Kisha protestante ungjillore e Kosovës dhe bashkësia hebrakie e Kosovës shprehin shqetësim për projektligjin për ndryshimin e kodit civil, pjesa e familjes ku po rezultohet që të dobësohet përkufizmi dhe funksionimi i martesës në Kosovë.
Bashkësitë tona fetare mbesin të bashkara për sa i takon mbrojtjes dhe promovimit të përditshëm të vlerave të familjës, vlerave dhe qëndrimve pro jetës, mbrojtjes së vlerave tradicionale të bashkëshortësisë, mbrojtjen e së drejtës së jetës së fetusit prej ngjizjes e deri në lindje, të drejtën e natyrshme gjinore si paracaktim për secilin qytetar.
Ta prekësh ripërkufizimin e martesës dhe pjesëmarrësve në të, pra burrit i lindur mashkull dhe gruas të lindur femër, mendojmë se po cënohet drejtëpërdrejtë Fjala e vullneti i Zotit si dhe zbulesa e tij e shenjtë për gjithë familjen njerëzore e cila ka nisur prej një burri dhe një gruaje me bekimin dhe urdhërin e shumëzimit të përjetshëm.
Të lësh hapësirë ripërkufizimi në cfardo niveli e forme për martesën, në fakt, dikush po prek në njërin nga fondamentet e përgjithshme të shoqërisë sonë, e cila ka trashëgimi gjatë mijëra vjetëve vlerën tradicionale dhe e cila siguron funksionimin normal të shoqërisë, pavarësisht bindjeve të ndryshme.
Bashkësitë fetare të Kosovës mbesin të bashkuara dhe me një zë të vetëm para ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës, para qeverisë dhe institucioneve të tjera, që të heqin dorë prej cdo ndryshimi, ripërkufizimi, riinterpretimi të neneve për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve në vendin tonë.
Me bashkimin e dy personave me gjini të njëjtë nuk mund të pajtohemi kurrsesi që ta quajmë as martesë e as kurorëzim, dhe jemi kundër orientimit që këta individë të adoptojnë fëmijë.
Shoqëria kosovare ka rrënjë të thella të vlerave dhe përcaktimeve konservatore, si bashkësi fetare deklarojmë, se ndjehemi të lumtur me këtë realitet, dhe angazhimi ynë është që t’ua pasojmë brezave këtë mbi familjen e martesen”.
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet më 24 shkurt (e enjte) në seancë plenare nga ora 10:00, në të cilën mes tjerash në rend dite është edhe shqyrtimi në parim i Projektkodit civil të Republikës së Kosovës.
Në këtë projektkod një referencë ka të bëjë me rregullimin e martesës mes gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë.
Projektkodi Civil i Kosovës, grupet parlamentare deklarohen për martesat mes gjinisë së njëjtë
www.kallxo.com