Nuk kalon në Kuvend Projektkodi Civil

Me 28 vota për, 28 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.

Sipas kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, 16 deputetë nuk kanë marrë pjesë fare në votim.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky Projektkod Civil është një ndër produktet më të mëdha legjislative pas Kushtetutës së Kosovës.

“Ajo çka e bën të veçantë këtë Projektkod është edhe fakti se hartimi i tij bëhet për herë të parë në Republikën e Kosovës si njëri ndër dokumentet dhe produktet më të mëdha legjislative pas Kushtetutës së Kosovës dhe që i prek të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shpjeguar disa nga çështjet që janë adresuar në këtë Projektligj, i cili përmban pesë libra dhe 1,630 nene.

“Është adresuar çështja e pasurisë së bashkëshortëve në martesë dhe barazvlefshmëria e pasurisë në rast të divorcit, çështja e martesave, mbrojtja e fëmijëve, fejesa, trashëgimia dhe martesat e personave nga mosha 16 deri në 18-vjeç por edhe çështje tjera të rëndësishme”, ka thënë ministrja.

Haxhiu theksoi se sipas këtij Projektkodi është hequr mundësia që të lejohen martesat e hershme.

“Ne e kemi hequr mundësinë që të lejohen martesat e hershme, pra tani me Kodin Civil vetëm martesa në moshën mbi 18-vjeç lejohet”, theksoi Haxhiu.

Tutje ajo tha se gjatë hartimit të Projektkodit kanë qenë pjesmarrës një grup i madh i ekspertëve dhe përfaqësues të institucioneve.

Në memorandumin shpjegues të Projektkodit Civil thuhet se qëllimi i tij është rregullimi dhe harmonizimi i dispozitave ligjore të së drejtës civile materiale.

Sipas memorandumit shpjegues, miratimi i këtij projektligji është i domosdoshëm për rregullimin parimor dhe material të së drejtës civile si dhe në thjeshtësimin e zbatimit të së drejtës civile nga autoritetet gjegjëse.

“Po ashtu, miratimi i tij mundëson qasje më të lehtë dhe të përshtatshme në drejtësinë civile për qytetarët dhe subjektet tjera”, thuhet tutje në memorandum.

Tutje, në shpjegim thuhet se gjatë fazës së hartimit të draft Kodit Civil, janë marrë parasysh dhe janë konsultuar modelet e shumë kodeve civile të vendeve të Evropës.

“Gjatë fazës së hartimit të Draftkodit Civil, janë marrë parasysh dhe janë konsultuar modelet e shumë kodeve civile të vendeve të Evropës kontinentale e kryesisht të Kodit Civil gjerman, Kodit Civil austriak, Kodit Civil italian, Kodit Civil francez, Kodit Civil estonez dhe Kodit Civil të Shqipërisë. Po ashtu, janë marrë për bazë vendime të ndryshme gjyqësore në kuadër të gjykatave në BE”, bëhet e ditur në memorandum.

Këtu mund të gjeni të plotë procesin legjislativ të Projektkodit Civil të Republikës së Kosovës.