array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=3"
  }
}

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë

Arsyet që çuan në zvarritjen e regjistrimit të popullsisë

Deklarata

Vendimi i Qeverisë Kurti (30.09.2022): Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, në Republikën e Kosovës, do të realizohet në periudhën kohore, nga data 1 shtator deri më 16 tetor 2023.  

Vendimi i Qeverisë Kurti (23.08.2023): Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, do të mbahet nga data 1 nëntor deri më 15 dhjetor 2023.

Albin Kurti (27.10.2023) (min 26:17): Ne kemi nxjerrë vendimin që regjistrimi të fillojë më 1 nëntor dhe tani për tani nuk kemi tjetër vendim.

Vendimi i Qeverisë Kurti (22.11.2023): Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, do të mbahet nga data 5 prill 2024 deri më datën 17 maj 2024. 

Qeveria Kurti

Vlerësimi

Me kos

Pas regjistrimit të fundit të popullsisë që është bërë në Kosovë në vitin 2011, regjistrimi i radhës është dashur të bëhej në vitin 2021. Por, regjistrimi i popullsisë nuk është bërë në vitin 2021. Regjistrimi i popullsisë është shtyrë për në vitin 2022 për shkak të pandemisë COVID-19 dhe për shkak të zgjedhjeve lokale por nuk ishte caktuar ndonjë datë specifike. Më 21 korrik 2022 u miratua Ligji për regjistrimin e popullsisë. Aty përcaktohet se vendimi për datën e regjistrimit merret nga Qeveria, jo më vonë se 9 muaj para datës së regjistrimit. Bazuar në këtë ligj, më 30 shtator 2022, Qeveria vendosi që procesi i regjistrimit të fillojë më 1 shtator 2023. Disa ditë para fillimit të shtatorit, më 23 gusht 2023, Qeveria e Kosovës mori vendim që ta shtyjë regjistrimin e popullsisë për dy muaj, saktësisht për 1 nëntor 2023. Kjo sipas Kurtit u bë me arsyetimin se ka pasur rezistencë nga Komisioni Qendror i Regjistrimit. Por, regjistrimi i popullsisë nuk filloi as më 1 nëntor 2023 siç ishte planifikuar. Më 22 nëntor 2023, kryeministri Kurti mori vendim që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet për 5 prill 2023. Ai tha se menaxhmenti i ri i ASK-së e ka njoftuar se procesi nuk është menaxhuar mirë.

Artikulli

Regjistrimi i popullsisë që ishte planifikuar të bëhej në vitin 2021, dhjetë vjet pas regjistrimit të parë të popullsisë, ishte shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19 dhe zgjedhjeve lokale që janë mbajtur në tetor të vitit 2021.

Në qershor të vitit 2021, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Buxhet dhe Transfere, kishte deklaruar se regjistrimi i popullsisë së Kosovës do të shtyhet për vitin 2022. Por regjistrimi i popullsisë nuk u bë as në vitin 2022. Ligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare u miratua në Kuvendin e Kosovës me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim në seancën e 21 korrikut 2022

Në nenin 6 të ligjit që ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2022, thuhet se vendimi për datën e regjistrimit merret nga Qeveria, jo më vonë se 9 muaj para datës së regjistrimit. Bazuar në këtë, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 30 shtator 2022, ishte vendosur që regjistrimi i popullsisë të realizohej brenda periudhës 1 shtator – 16 tetor 2023.

Por, më 23 gusht 2023, disa ditë para se vinte 1 shtatori, Qeveria e Kosovës mori vendim që ta shtyjë këtë proces për dy muaj. Sipas këtij vendimi, regjistrimi i popullsisë pritej të fillonte më 1 nëntor 2023 dhe të zgjaste deri më 15 dhjetor 2023.

“Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës së prodhuar edhe brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund të fillojë para datës 1 nëntor 2023, pra dy muaj më vonë, për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet e fundit” – kishte deklaruar Kurti në mbledhjen e 23 gushtit 2023.

Kurti pati përmendur një rezistencë që sipas tij ishte prodhuar brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Por, kryetari i ASK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë se një gjë e tillë nuk qëndron, duke shtuar se nuk është e mundur që ASK si organizatë pa kompetenca ekzekutive të parandalonte procesin.

“Jo, jo kjo nuk qëndron aspak. Kjo nuk është e drejtë dhe korrekte. Unë personalisht kam qenë anëtar i këshillit, dhe këshilli përbëhet prej mbi 15 anëtarë. Në dijeninë time janë rreth 15 anëtarë. Si është e mundur që një organizatë joqeveritare pa kompetenca ekzekutive, do të mund ta parandalonte një proces të tillë të rëndësishëm. Po besoj që kryeministri nuk qenka informuar drejt”-  ka thënë Ibrahimi.

Ushtruesi i detyrës i ASK-së, Ilir Berisha, më 20 tetor 2023, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Buxhet pati deklaruar se ka mangësi për ta realizuar këtë proces, ndërsa ka pohuar se kanë kërkuar nga Qeveria që ta shtyjnë datën përsëri.

“Sfidat janë mungesa e tabletave, mungesa e mbikëqyrësve të procesit dhe mostrajnimi i mbikëqyrësve”- kishte deklaruar Berisha.

Pak ditë para fillimit të muajit nëntor, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se 1 nëntori 2023 vazhdon të mbetet si dita në të cilën do të fillojë regjistrimi i popullsisë.

“Ne kemi nxjerr vendimin që regjistrimi që të fillojë me 1 nëntor dhe tani për tani nuk kemi tjetër vendim” –  u shpreh Kurti më 27 tetor 2023 (video – min 26:17).

Por edhe përkundër se kaluan mbi 20 ditë të muajit nëntor, regjistrimi i popullsisë nuk filloi siç ishte planifikuar. Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 22 nëntor 2023, kryeministri Kurti njoftoi se regjistrimi i popullsisë është shtyrë për muajin prill 2024.

“Gjatë javës së kaluar kam përdorur autorizimin tim ligjor për të ndryshuar menaxhmentin e ASK-së, letra informuese që e kam pranuar nga ushtrues i ri i drejtori dëshmon që regjistrimi nuk është menaxhuar mirë. Nisur nga kjo e në veçanti për t’i dhënë kohë udhëheqjes së re, propozoj që regjistrimi të shtyhet nga 5 prill deri 17 maj 2024”- deklaroi Kurti në mbledhjen e 22 nëntorit 2023.

Disa ditë para se të jepej lajmi për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, më 17 nëntor 2023, kryeministri Kurti emëroi Avni Kastratin, ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Kastrati u emërua në vend të Ilir Berishës.

“Procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ai duhet bazuar në të dhëna të besueshme dhe profesionistë të përkushtuar ndaj suksesit të nismës” – thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Para se të emërohej u.d. i drejtorit ekzekutiv të ASK-së, Kastrati ka qenë i angazhuar në Departamentin e Statistikave Sociale.

Drejtori i Institutit Riinvest, Alban Hashani, i cili është ekspert i çështjeve socio-ekonomike, në një prononcim për KALLXO.com ka treguar për pasojat e shtyrjes së procesit të regjistrimit të popullsisë.

Sipas tij, mungesa e të dhënave që nxirren nga ky proces krijon hendek në dizajnimin e mirë të politikave publike në arsim dhe shëndetësi.

“Është e rëndësishme të dihet se sa njerëz janë rezident në mënyrë që të ju ofrohen shërbime më të mira” – ka shtuar ai.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe buxhetimin e komunave që ndërlidhet me të dhënat që sigurohen nga procesi i regjistrimit të popullsisë.

“Në mungesë të tyre është problem të dizajnohet buxhetimi” – ka thënë Hashani.

Por, Hashani ka thënë se shtyrja e procesit të regjistrimit të popullsisë krijon telashe, më mirë është të bëhet mirë se të bëhet për ngut. 

“Qeveria duhet t’i jap më shumë mbështetje ASK-së sepse buxhetin që e posedon dhe resurset që i ka janë të kufizuara” – ka përfunduar ai.

Regjistrimi i Popullsisë në Kosovë bëhet sipas Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive Familjare dhe të Banesave.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në vitin 2011. Numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë ishte 1,739,825 milion banorë. Por, në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, pasi që në atë kohë ata e kishin refuzuar procesin. 

Ndërsa sipas vlerësimit të popullsisë të vitit 2021, Kosova kishte 1,773,971 banorë.