Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi miraton Ligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave

Me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Kjo pikë e rendit të ditës u trajtua në një seancë të re, e cila u vendos përmes një mocioni procedural, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Qeveria e Republikës së Kosovës, më 23 dhjetor 2021 e ka aprovuar Projektligjin për Regjistrimin Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

Me këtë ligj do të rregullohet mënyra e organizimit të procesit të regjistrimit të popullsisë, përcaktohen kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve që e organizojnë, ndihmojnë dhe zbatojnë regjistrimin, dokumentimin, përpunimin, ruajtjen, publikimin e të dhënave dhe masat administrative.

Ky ligj gjithashtu rregullon shtrirjen territoriale të regjistrimit të popullsisë, afatet kohore, mbajtjen dhe procesin në tërësi, obligimet qytetare për pjesëmarrje në regjistrim, sanksionet administrative dhe juridiksionin e institucioneve përgjegjëse.

Në këtë link mund të gjeni se çka rregullon Projektligji i ri për regjistrimin popullsisë.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011.