Foto: ZKM

Avni Kastrati emërohet u.d. i drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Avni Kastratin ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Kështu është bërë e ditur në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit.

“Procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ai duhet bazuar në të dhëna të besueshme dhe profesionistë të përkushtuar ndaj suksesit të nismës”- thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, Kastrati e njoftoi kryeministrin rreth sfidave dhe problemeve të shumta brenda Agjencisë të cilat e kanë ngadalësuar edhe procesin e regjistrimit.

“Menaxhmenti i ri dhe një frymë e re e përkushtimit ndaj rezultatit është e domosdoshme për zbatim dhe finalizim të procesit të regjistrimit të popullsisë. Z. Kastrati, tanimë në detyrë të re, do të njoftojë Kryeministrin Kurti ditëve në vijim me hapat e radhës në kuadër të procesit regjistrimit, pas sigurimit të pajisjeve teknike për këtë proces”- theksohet më tej në kumtesë.

Para se të emërohet u.d. i drejtorit ekzekutiv të ASK-së Kastrati ka qenë i angazhuar në Departamentin e Statistikave Sociale.

Departamenti i Statistikave Sociale ka për mision prodhimin e të dhënave zyrtare për indikatorët socialë dhe plotësimin e nevojave të shfrytëzuesve.