Kryhet Debati në Interpelancën për Rritje Pagash

Pas diskutimeve të gjata përfundoi debati në interpelancën e Kryeministrit Ramush Haradinaj rreth vendimit të tij për rritje pagash.

Në fund të interpelancës Kryeministri Haradinaj tha se nuk pret që opozita t’i miratojë veprimet e tij.

“Në fillim të punës kam fillu me vendosë disa parime, e një nga parimet ka qenë mos me u marrë me paraardhësit, mos me u anku çka kanë bo ata. Nuk pres prej opozitës me mi miratu punët e veprimet”, tha Haradinaj.

Ai deklaroi më tutje se po e pret një porosi.

“Po e pres nifarë porosie. Çka është kjo porosi? Ruhna mos me kthy në baza personale. Diqysh duhet me ndrru këtë ven, dikun duhet me ia nisë. Po ku po pres s’po u bjen tamon”, tha Haradinaj.

Kryeministri deklaroi në fund se e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimin e Kuvendit në lidhje me rritjen e pagave.

Por Albulena Haxhiu nga Lëvizja vetëvendosje që bashkë me LDK-në ftuan Haradinajn në interpelancë, tha se është dashur të shihet nëse qeveria meriton rritje pagash, para se ta bëjë atë.

“Keni rritë pagat në fillim te mandatit, është dashur te prisni pak për performancën tuaj, a e meriton a s’e meriton”, tha Haxhiu.

Haxhiu më tutje tregoi për rekomandimet e propozuara-shfuqizimin e Ligjit për rritje të pagave, heqjen e kategorizimit në bazë të moshës dhe lartësia e pagesës t’u përshtatet të dhënave zyrtare të Kosovës.

Ndërsa Avdullah Hoti tha se rritja e pagave për gjyqtarë e prokurorë të përfshihet në ligjin që rregullon punën e tyre.

Grupet parlamentare tash do ta harmonizojnë rezolutën e cila do të votohet pas pauzës që përfundon në orën 15 e 15.