Kosova nderon figurën dhe kontributin e presidentit Wilson me pullë postare

Kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në ceremoninë e promovimit të pullës postare dedikuar ish-presidentit amerikan Woodrow Wilson.

Promovimi i kësaj pulle postare është bërë sot pasdite në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe vjen me rastin e 100 vjetorit të Konferencës së Parisit, ku ish-presidenti amerikan Wilson ishte më meritori për ekzistimin e shtetit shqiptar.

Posta e Kosovës për nder të kontributi të presidentit Wilson ka emituar pullën postare “100 vjetori i mbrojtjes së trojeve shqiptare- Woodrow Wilson”.

Për kryeministrin Haradinaj presidenti Wilson ka bërë atë që më vonë do ta bënin prapë amerikanët – shpëtimin e popullit shqiptar.

“Kosova ka nderuar edhe figurat e njohura të shtetit amerikan si ish-presidentin Bill Clinton, Albright, Wesley Clark. Atëkohë është ditur që nderim do të bëhet edhe për presidentin Wilson, duke pasur parasysh kontributin tij në një periudhë të rëndësishme të kombit tonë”, ka thënë ndër të tjera kryeministri Haradinaj.

Kurse kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, ka thënë se në 100 vjetorin e Konferencës së paqes në Paris, Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim pullën postare për presidentin Wilson. Miqësia, për kontributin e tij në ruajtjen e trojeve shqiptare.

“Pulla mban emrin zyrtar ‘100 vjetori i mbrojtjes së trojeve shqiptare- Woodrow Wilson’ dhe në qarkullim është që nga 25 maj 2019”, ka thënë Hoxha, duke i dorëzuar pastaj plaketin e pullës kryeministrit Haradinaj.

Me këtë rast kanë folur edhe Skënder Asani, drejtor i  Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Femi Cakolli kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës dhe bashkëthemelues i Instituti për Studime Protestante.

Prezantimi i pullës postare “100 vjetori i mbrojtjes së trojeve shqiptare- Woodrow Wilson” është bërë në kuadër të ekspozitës në kuadër të ekspozitës për promovimin e emblemës, katalogun, ekspozitën dhe pullën postare që i kushtohen 100-vjetorit të Konferencës së Parisit dhe angazhimit të presidentit Wilson dhe Qeverisë së ShBA-së për ta mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.

Kjo ekspozitë do të ketë edhe disa ekspozime në Maqedoni, Shqipëri dhe në ShBA.