Qyteti i Skenderajt nga sot pjesë e pullës postare

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pranuar pullën postare me pamjen e qytetit të Skenderajt, nga u.d. kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi,

Sipas një komunikate për media, Jashari me këtë rast deklaroi se paraqitja e qytetit të Skenderajt në pullën postare është një nder i veçantë që i është bërë komunës. Ai  apeloi te qytetarët e vendit që të përdorin shërbimet e Postes së Kosovës, në mënyrë që kështu të fuqizohen ndërmarrjet publike.

“Uroj të keni sukses dhe punët të ju ecin mbarë, po ashtu shfrytëzoj rastin që t`i apeloj edhe  Institucionet qendrore që të përkrahin dhe fuqizojnë Posten e Kosovës dhe të gjitha ndërmarrjet tona publike.  Pulla postare me pamjen e qytetit tonë do të jetë në qarkullim që nga dita e sotme, andaj kërkoj nga qytetarët e komunës sonë dhe jo vetëm që në dërgesat e tyre të zgjedhin këtë pullë postare që kështu të promovojmë qytetin dhe vlerat tona kombëtare në botë”, citohet të ketë thënë Jashari.

Në anën tjetër, Smakiqi, tha se është një kënaqësi e madhe që në kuadër të pullës postare të përfshihet qyteti historik i Skenderajt, e që sipas tij me të veçantë e bën këtë gjë  fakti që pikërisht këtë pullë postare po e pranon anëtari i Familjes Jashari.

“Sot kemi ardhur që ta promovojmë pullën postare për Skenderajn, një mision i rregullt të cilin e ka posta. Është një kënaqësi e veçantë që sot e promovojmë këtë pullë e cila shfaq vlerat me të larta të kulturës, historisë dhe sakrificës së Skenderajt. Ky qytet është sinonim i qëndresës kombëtare, sinonim i patriotizmit, por me të veçantë këtë pullë postare e bënë dorëzimi direkt Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili njëkohësisht është edhe biri i heroit Hamëz Jashari”, tha nder të tjera Smakiqi.

Në fund të këtij takimi, Jashari i dhuroi Smakiqit, stemën e komunës, kurse ky i fundit në emër të  Filatelisë së Postëss së Kosovës,

Kryetarit Jashari, Familjes Jashari si dhe nënkryetarit Nuredin Lushtaku, i dhuroi pllakën në të cilën është paraqitur qyteti i Skenderajt si dhe pullën  postare me pamjen e qytetit.