Pullë postare dhe pension shtetëror për Nexhmije Pagarushën

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Postën e Kosovës, kanë lansuar gjatë ditës së sotme Pullë Postare në nderim dhe vlerësim të figurës së shquar, ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushës.

Përmes një njoftimi për media MKRS bën të ditur se me iniciativë të ministrit Kujtim Gashi, Posta e Kosovës i dedikon pullë postare Pagarushës.

“Me motivacionin e dhënies së kontributit në muzikën e mirëfilltë shqiptare, në rritjen e vlerave kulturore në shoqërinë tonë, me iniciativë të ministrit Kujtim Gashi, Posta e Kosovës i dedikon legjendës së gjallë më muzikës shqipe Nexhmije Pagarushës Pullë Postare”, thuhet në komunikatën e MKRS-së.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Postës së Kosovës dhe familjarë të Nexhmije Pagarushës.

Më këtë rast, ministri Gashi ka bërë të ditur se është marrë iniciativa për pension shtetëror të përmuajshëm për Nexhmije Pagarushën.

“MKRS-ja do të botojë një monografi për mbretëreshën e këngës shqipe, ‘Bilbilin e Kosovës’, si dhe në vendlindjen e saj në Pagarushë të Malishevës do të ndërtohet qendra e kulturës për nder të saj”, citohet të ketë thënë ministri Gashi, gjatë kësaj ceremonie.