Skenderaj - kallxo.com

Vendosen kamera të sigurisë në 40 lokacione në qytetin e Skenderajt

Komuna e Skenderajt ka përuruar sot sistemin e sigurisë përmes instalimit të kamerave në 40 lokacione në qytet.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka deklaruar se shkelësit e ligjit do të identifikohen për kamerave të sigurisë dhe do të dënohen sipas legjislacionit në fuqi.

“Nga sot të gjithë ata që shkelin ligjin duke bërë vepra penale, duke dëmtuar e ndotur hapësirat publike dhe mjedisin në përgjithësi do të identifikohen nga Policia përmes kamerave të sigurisë dhe do të dënohen sipas legjislacionit në fuqi. Kjo është për të mirën e përbashkët, për sigurinë tonë dhe mbrojtjen e mjedisit që na rrethon”, ka thënë Jashari përmes një postimi në “Facebook”.

“Nga sot lëvizjet në qytetin tonë do të vëzhgohen 24 orë në ditë nga Policia përmes këtyre  kamerave dhe kështu synojmë që të reduktojmë edhe më shumë dukuritë negative dhe ndotjen e dëmtimin e hapësirave publike dhe mjedisit në përgjithësi”, shtoi ai.

Ai ka deklaruar se sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, viteve të fundit kanë rënie drastike të incidenteve dhe kështu me instalimin e këtyre kamerave presin më shumë rezultate pozitive në rritjen e nivelit të sigurisë së qytetarëve të Skenderajt.