Mosmarrëveshjet për lokacionin, dështon asgjësimi i kafshëve të infektuara me brucelozë në Mikushnicë të Skenderajt

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka drejtuar kritika në adresë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) se është duke zvarritur asgjësimin e dhjetëra lopëve të infektuara me sëmundjen e brucelozës në një fermë në Mikushnicë të Skenderajt.

Sipas kryetarit Nura, 23 lopë në një fermë në Mikushnicë janë prekur nga sëmundja e brucelozës dhe AUV është duke reaguar ngadalë për asgjësimin e tyre, pavarësisht se Komuna e ka caktuar lokacionin për groposjen e kafshëve të infektuara.

Por, AUV përmes një reagimi i ka hedhur poshtë kritikat e Nurës, duke thënë se është vetë Komuna e Skenderajt e cila me moscaktimin e lokacionit ka dështuar në asgjësimin e kafshëve të infektuara.

Përmes një postimin ne Facebook, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka thënë se në mungesë të komunikimit zyrtare me AUV është detyruar që përmes Facebook-ut t’i kërkojë që sa më parë të bëjë asgjësimin kafshëve të infektuara. Sipas tij, sëmundja është shfaqur nga mesi i shtatorit dhe Komuna ka caktuar lokacionin për asgjësimin e tyre.

“23 krerë, të cilat për fatin e tyre të keq, edhe të familjes gjithashtu, duhet sa më parë të asgjësohen dhe të groposën sipas udhëzimeve dhe kushteve të kërkuara veterinare, në lokacionin të cilin Komuna jonë e ka caktuar pikërisht për qëllimin e mësipërm. Një reagim i ngadaltë, shpërfillës dhe që është një tregues i papërgjegjshmërisë, mund të rrezikojë që situata të dal jashtë kontrollit shtetëror edhe më tej, me përhapjen e infeksionit që mund të prek edhe njerëz”- ka shkruar ndër të tjerash ai në Facebook.

 

Por, AUV përmes një reagimi të postuar dhe në Facebook, ka thënë se mosasgjësimi i kafshëve të infektuara në Mikushnicë ka ndodhur për faj të Komunës, e cila nuk e ka caktuar lokacionin për asgjësimin dhe groposjen e tyre,

“Është përgatitur vendimi për asgjësim dhe menjëherë janë njoftuar organet komunale të Skenderaj për caktim të lokacionit për asgjësim. Me datë 29 kemi marrë njoftimin nga komuna për vend lokacioni  e asgjësimit. Vendi cit:  ‘Fshatin Llaushë në rr. Ismail Qemajli , apo siç njihet ndryshe edhe si Prroj i Keq’. Me datën 3.10.2023 inspektorët Veterinarët të AUV-së bashkë me Kompaninë e kontraktuar për asgjësim, në prezencë edhe të dy inspektorëve komunal proceduara e asgjësimit të kafshëve ka dështuar. Pasi në lokacionin e përcaktuar nga komuna nuk u lejua hapja e gropës për asgjësim nga ana e banorëve lokal. Është provuar të kryhet asgjësimi edhe ditën e nesërme zyrtarët komunal nuk kanë qenë në gjendje të caktojnë lokacion për asgjësim të njëjtit. Kanë propozuar disa lokacione Llaushë pastaj në Leçinë, pastaj në Çiçavicë. Por në fund nuk është arritur të gjetët lokacion përshtatshëm pasi sipas tyre po kanë  problem me banorët lokal. Për dy ditë kanë qëndruar në Skenderaj Inspektorët e AUV-së dhe kompania e kontraktuar por në mungesë lokacioni nuk është arrit të kryhet asgjësimi.”- thuhet në reagimin e AUV.

&

AUV thotë se disa herë radhazi, duke përfshirë edhe ketë vit me rastin e shpërthimit të sëmundjes MAD, ka dërguar kërkesë për të gjitha komunat që t’ i caktojnë lokacionet apo vendvarrezën për groposjen e kafshëve në rastet e infektimit, pasi ka mundësi asgjësimi të shpejtë të tyre, por po has në neglizhencë të komunave për caktim të lokacioneve.